AlbanianSport.com 13/03/2018 08:50
ASNN – Botërori 2018 ka bërë që çmimet të rriten me shpejtësi në Rusi, shkruan një faqe vendase e biznesit në Internet, e cila shton se, për shembull, të gjitha dhomat e hoteleve janë prenotuar që tani më 6 ndeshjet që do të luhen në Kazan. Ndonëse jo zyrtarisht, një dhomë mediokre pranë stadiumit po jepet me qira kundrejt një çmimi prej 2,000 eurosh, sikur të ishte dhoma e një hoteli luksoz në qendër të Moskës. Kamarierët e restoranteve po bëjnë kurse intensive të gjuhëve të huaja, kryesisht anglisht, ndërkohë që pronarët e tyre dhe qiradhënësit janë duke rritur gradulisht çmimet.
E gjithë kjo teksa kryeqyteti i republikës gjysmëautonome me shumicë muslimane të Tataristanit në Rusi, përgatitet të presë Botërorin e këtij viti. Për 1.2 milionë banorët e Kazanit, një qytet rreth 700 kilometra në lindje të Moskës, me një “Kremlin” të vetin dhe një nga xhamitë më të mëdha të Rusisë, kjo veprimtari është një mundësi e mirë për t’i treguar veten botës. “Mikpritja është në gjakun tonë“, – thotë Daria Sanikova, e cila kryeson edhe Komitetin e Turizmit në Kazan. Stadiumi “Kazan Arena” do të presë 4 ndeshje të fazës së ndeshjeve në grupe të Botërorit.
Përfshi këtu sfidat Australi-Francë më 16 qershor dhe Kore e Jugut-Gjermani më 27 qershor 2018, si dhe një ndeshje të turit të 16-shes dhe një ndeshje çerekfinale. Stadiumi me trajta kozmike u ndërtua për Universiadën verore të 2013-ës dhe është një nga gurët kilometrikë të Presidentit rus, Vladimir Putin, për ta rikthyer Rusinë tek statusi i superfuqisë sportive që gëzonte në të shkuarën e saj ish-sovjetike. Vendasit po e shijojnë vëmendjen dhe janë shumë të etur për të joshur vizitorët, me tabelat e stacioneve të autobusëve dhe metrove që po shkruhen edhe në anglisht dhe me punonjësit e hoteleve dhe restoranteve që bëjnë kurse intensive të gjuhëve të huaja.
Por të gjitha përgatitjet kanë një problem që tenton të ngrejë kokë në rastet e këtyre veprimtarive botërore. Botërori ka bërë që çmimet të rriten me shpejtësi, shkruan një faqe vendase e biznesit në Internet, e cila shton se të gjitha dhomat e hoteleve janë prenotuar që tani më 6 ndeshjet që do të luhen në Kazan. Ndonëse jo zyrtarisht, një dhomë mediokre pranë stadiumit po jepet me qira kundrejt një çmimi prej 2,000 eurosh, sikur të ishte dhoma e një hoteli luksoz në qendër të Moskës.
“Edhe unë i kam dëgjuar këto historitë për çmimet e pazakonta”, – pohon Sanikova, e cila premton: “Ne do të përpiqemi ta zgjidhim këtë dhe nuk do t’i lejojmë çmimet të dalin nga kontrolli. Nuk do të ketë asbolutisht çmenduri çmimesh”, – përfundon ajo. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, edhe Botërori “Rusi 2018” do të sillet i gjithi për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.