AlbanianSport.com 11.12.2016 09:05
ASNN – Besëlidhja ka marrë 3 pikë të vlefshme në përfundim të sfidës me Erzenin, e vlefshme për Kategoria e Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Ndeshja ka përfunduar 2-0 në favor të skuadrës lezhjane. Të dy golat janë shënuar me 11-metërsh nga kapiteni i Besëlidhjes, Dritan Smajlaj. Kështu, Besëlidhja ka fituar 2-0 me Erzenin, ndeshje kjo e vlefshme për grupin A të Kategorisë së Parë, e cila u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Skuadra lezhjane ka krijuar më shumë raste duke e vënë vazhdimisht në vështirësi mbrojtjen e Erzenit. Në minutën e 4-t, Besëlidhja shënon një gol pas ekzekutimit të një goditje dënimi. Topi përfundon në rrjetë, por gjyqtari kryesor e anulon golin për pozicion jashtëloje të futbollistëve lezhjanë. Protestojnë futbollistët vendas, por gjyqtari nuk ndryshon mendim.
Në minutën e 20-të, Marashi pengohet në zonë dhe 11-metërsh për Besëlidhjen. Protesta të futbollistëve shijakas për disa minuta, por gjyqtari Ferataj nuk ndryshon vendim. Nga pika e bardhë gjuan kapiteni lezhjan Dritan Smajlaj dhe 1-0 për Besëlidhjen. Edhe në pjesën e dytë skuadra vendase ka iniciativën, teksa rrezikon në të 56-ën minutë me anë të Kamarasë, por mbrojtësit e Erzenit janë të saktë.
Më pas, në të 82-ën është Pasha që gjuan fluturimthi brenda zonës duke rrezikuar portën e Besëlidhjes. Në fund të takimit ka një tjetër 11-metërsh për vendasit. Në minutën e 88-të, Lundraxhiu ndal në mënyrë të parregult Kamaranë dhe gjyqtari Ferataj jep 11-metërsh për Besëlidhjen. Nga pika e bardhë, kapiteni Smajlaj është sërish i saktë dhe 2-0 për lezhjanët. Pas kësaj fitoreje, Besëlidhja ngjitet në kuotën e 27 pikëve.