AlbanianSport.com 18.11.2016 14:35
ASNN – Kombëtarja e vajzave po përgatitet për dy ndeshjet e fundit të Eliminatoreve të “Eurobasket 2017”. Shqipëria nuk ka arritur të marrë asnjë fitore në këtë fushatë, por po punohet për të krijuar përvojë për të ardhmen.
Trajneri Xhelal Kalaja ka grumbulluar lojtare nga kampionati vendas për sfidat me Malin e Zi dhe Britaninë e Madhe, që do të zhvillohen përkatësisht të shtunën dhe të mërkurën në Tiranë.
“Pjesëmarrja të jep mundësinë që të mendosh për investime dhe për grumbullime më të shpeshta, për të njohur më mirë sportistet dhe kështu përzgjedhja vjen natyrshëm”, – ka thënë Kalaja, i cili zëvendësoi Erdal Borovën si trajner të Shqipërisë së femrave.
Trajneri Kalaja vlerëson edhe nivelin e kampionatit shqiptar ku mund të veçosh lojtare për çdo ekip. Ndërkohë, Federata Shqiptare e Basketbollit synon të rrisë nivelin e Kombëtarëve A, por duke e nisur edhe nga ekipet e moshave.
Zyrtari i organizmit që qeveris sportin e basketbollit në Shqipëri, Korab Llazani, beson se rezultatet do të vijnë me pjesëmarrjet në veprimtaritë ndërkombëtare, ku është konfirmuar prania edhe për këtë edicion.
“Jemi në Eliminatoret e Kampionatit Botëror, ku e kemi konfirmuar pjesëmarrjen, si dhe dhe në Evropianët e moshave”, – ka thënë Sekretar i Përgjithshëm i FSHB-së, duke folur për TV Klan.
“Natyrisht nuk pretendojmë cilësi maksimale, por kjo do të vijë gradualisht”, – ka shtuar Llazani. Shqipëria mungonte prej disa kohësh në veprimtaritë ndërkombëtare, por tashmë është rikthyer, me një strategji ku frytet priten pas disa vitesh.