AlbanianSport.com 04/01/2021 20:55
ASNN – Ekipi i trajnerit shqiptar ka korrur 6 fitore në 8 ndeshje në Serinë A2 të koshit italian. Spiro Leka është një nga eksportet më të suksesshme të basketbollit shqiptar në parketin evropian. Trajneri shqiptar vazhdon të udhëheqë me sukses ekipin e Ferrarës, që militon në Divizionin e kuq të nivelit të dytë të basketbollit italian të meshkujve. Epidemia e virusit Covid-19 ndërpreu në mes një sezon mjaft premtues për skuadrën e Ferrarës, që drejtohet nga trajneri shqiptar, Spiro Leka, por sezoni i ri i për ekipin që militon në Divizionin e kuq të nivelit të dytë të basketbollit italian të meshkujve, ka nisur edhe më mirë.
Aktualisht, skuadra e Lekës mban vendin e 4-t të renditjes, me 12 pikë, pas 6 fitoresh dhe dy humbjesh në 8 ndeshjet e para, teksa vetëm dy pikë e ndajnë nga dyshja e kreut, Napoli dhe Forli. Në takimin e javës së 8-të, që ishte i pari për 2021-shin, Ferrara e ka nisur mbarë vitin e ri, duke fituar në fushën e Kietit me rezultatin 75-66. Në fakt, ka qenë një ndeshje e mbizotëruar nga skuadra e trajnerit shqiptar ajo e luajtur të dielën në mbrëmje, teksa Ferrara e ka mbyllur në epërsi 19-17 10-minutëshin e parë, duke vijuar ta thellojë epërsinë edhe në atë të dytin.
Ekipi i Lekës e merr këtë 10-minutësh 21-17 dhe shkon në pushimin e madh midis dy pjesëve duke kryesuar 40-34. Ndonëse ekipi vendas del nga dhomat e zhveshjeve i motivuar dhe e fitoi 10-minutëshin e 3-të me një pikë epërsi 18-17, skuadra e trajnerit shqiptar do të arrijë ta administrojë me sukses lojën në 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, madje duke e thelluar epërsinë dhe duke e fituar gjithë takimin me rezultatin 75-66. Tanimë, skuadra e Spiro Lekës e ka hedhur vështrimin tek ndeshje e radhës, ajo me Latinën.