AlbanianSport.com 07/03/2019 12:00
ASNN – Klubi i Basketbollit të Prishtinës bëri një ndeshje të madhe mbrëmë në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinë, përballë skuadrës italiane të Palakanestro Varezes, në kuadër të 16-shes së Kupës së Evropës (FIBA Europe Cup). Këtë ndeshje e fitoi skuadra italiane me rezultatin 80-77, një fitore që e siguruan në momentet e fundit të takimit, në një duel dramatik në Pallatin e Sportit dhe të Rinisë në Prishtinë. Natyrisht, ende ka shpresë për kualifikim pasi është dhe ndeshja e kthimit për t’u luajtur.
Por shanset e Prishtinës për të shkuar në çerekfinale zbehen shumë sepse takimi tjetër do të luhet në fushën e Varezes. Sa i përket lojës, Prishtina e nisi mjaft dobët këtë ndeshje, duke humbur 10-minuëtshin e parë të takimit me shifrat 25-12. Por ekipi vendas e mori veten në çerekun e dytë të ndeshjes, duke e fituar me rezultatin 20-12 dhe duke e ngushtuar ndjeshëm diferencën, megjithëse italianët shkuan në pushimin mes dy pjesëve kryesore të lojës me shifrat 40-35.
Megjithatë, Prishtina do të shpërthente në parket në 10-minutëshin e tretë, duke e fituar atë thellë me shifrat 28-15 dhe në fund të kësaj pjese udhëhiqte me 8 pikë diferencë (63-55). U duk se Prishtina do ta fitonte këtë ndeshje, pasi krijoi epërsi dhe diferencë pikësh, por në minutat e fundit skuadrës kosovare i rrëshqiti fitorja nga duart. Italianët tregohen të vendosur dhe mjaft të saktë në veprimet në tabelë dhe pikë pas pike afrohen dhe në sekondat e fundit zhvillohet një duel dramatik.
Këtë 10-minutësh e fitojnë italianët me shifrat 25-14, duke bërë që ta përmbysin ndeshjen dhe ta fitojnë atë me rezultatin 80-77. Ishte një nga ndeshjet më të forta të Prishtinës në rang ndërkombëtar dhe një rivalitet shumë i madh. Për ekipin e Kosovës spikati i përhershmi Dardan Berisha, i cili bëri një superndeshje dhe shënoi 21 pikë, kurse për skuadrën italiane të Varezes spikati Dominik Arçie që shënoi 22 pikë. Ndeshja e kthimit do të vendosë se cila skuadër do të shkojë në çerekfinale, por italianët dukshëm janë favoritë tashmë.