AlbanianSport.com 04.10.2016 20:45
ASNN – Kombëtarja shqiptare e basketbollit për meshkuj do të vazhdojë të drejtohet nga trajneri qipriot, Antonis Konstandinides, me objektivin madhor, pjesëmarrjen, për herë të parë, në fazën finale të një veprimtarie madhore.
Ky është synimi që presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), Avni Ponari, ka vendosur për kuqezinjtë e koshit të meshkujve sa i përket Eliminatoreve të Evropianit të ardhshëm.
Antonis Konstandinides do të vazhdojë të jetë trajner i Kombëtares së Shqipërisë në basketboll për meshkuj edhe për Eliminatoret e ardhshme. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Televizionin Shqiptar presidenti i FSHB-së, Avni Ponari.
Ai ka sqaruar se qiprioti do të ketë një rol më të gjerë sesa ai që kishte në Eliminatoret që sapo u mbyllën. Për Ponarin, synimi i basketbollit shqiptar është pjesëmarrja, për herë të parë, në fazën finale të një veprimtarie madhore.
42-vjeçari Konstandinides e udhëhoqi Kombëtaren kuqezi të koshit drejt fitores së parë në 7 vitet e fundit në arenën ndërkombëtare, ndërsa ka ndërtuar një grup ku ndërthuret përvoja me elementët e rinj dhe premtues.