AlbanianSport.com 22.08.2017 19:55
ASNN – Një humbje e pazakontë, që ka çuar në dorëheqjen e trajnerit, por edhe në shpërthimin e një debati të gjerë sportiv mbi gjendjen e basketbollit dhe rrugët e daljes nga kjo gjendje ka qenë ajo e pësuar nga Shqipëria të shtunën e shkuar përballë Holandës.
Në një bisedë të zgjeruar për RTSH Sport, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka bërë një analizë të koshit kuqezi, paraqitjes së tij në veprimtaritë ndërkombëtare, duke u ndalur tek humbja e fundit me holandezët, tek trajneri i Kombëtares Antonis Konstantinides dhe tek e ardhmja.
Përtej bujës që shkaktoi humbja katastrofale me Holandën në Tiranë, për presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, koshi kuqezi është në një proces rindërtimi, ndonëse pritshmëritë ende nuk janë përligjur. Për Ponarin, gjendja aktuale e ka një shpjegim.
Për kreun e basketbollit shqiptar, humbja e turpshme me Holandën ka për protagoniste kryesore vetë skuadrën. Ponari e ka vlerësuar Antonis Konstantinidesin si trajner, por është shprehur se i mirëkupton deklaratat e tij. Për presidentin e FSHB-së, trajnerit qipriot të Kombëtares kuqezi, i janë plotësuar të gjitha dëshirat.
Shembull për këtë Ponari sjell edhe importimin e amerikanëve. Duke theksuar se Konstantinides ka një marrëveshje me Shqipërinë deri në fund të 2017-ës, kreu i koshit shqiptar sqaron edhe çështjen e trajnerit të ardhshëm të Kombëtares.