AlbanianSport.com 03.08.2016 21:45
ASNN – Kombëtarja shqiptare e basketbollit do të synojë të marrë maksimumin në pjesëmarrjen e saj në Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2017. Ky është mesazhi që ka përcjellë presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Anvi Ponari, dhe trajneri i Kombëtares, Antonis Kostantinides, gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot në kryeqytet.
Nga data 31 gusht, deri më 17 shtator, Kombëtarja kuqezi e basketbollit të meshkujve merr pjesë në Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2017 dhe, për kreun e Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, objektivat janë konkretë. Kurse për trajnerin qipriot të kuqezinjve, Antonis Kostantinides, basketbolli ka shumë për të mësuar nga aventura e Shqipërisë në Evropianin e Futbollit në Francë.
“Do t’ju rrëfej se gjatë Evropianit të Futbollit, unë dhe familja ime kemi qenë tifozë të Kombëtares kuqezi dhe ajo që më ka bërë përshtypje ka qenë harmonia e jashtëzakonshme që u krijua gjatë asaj periudhe, nga tifozi më i thjeshtë, tek kapiteni i skuadrës, nga trajneri i parë dhe presidenti i Federatës e deri tek anëtari më i fundit i stafit”, – ka pohuar ai.
“Kjo është ajo që unë do të dëshiroja të arrija një ditë me Kombëtaren e basketbollit të Shqipërisë dhe për këtë po punojmë bashkë me stafin dhe lojtarët, – ka vijuar Kostantinides. – Prandaj edhe thirrje ime është për tifozët në këto Eliminatore, që të vijnë e të na mbështesin, sepse do t’ju ofrojmë, së paku, diçka premtuese.” Grupi i lojtarëve të Kombëtar ka zbritur që të hënën në parketin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, në përgatitje për këto eliminatore.