AlbanianSport.com 08/01/2017 18:55
ASNN – Ndonëse jo aq të shumtë në numër sa homologët e futbollit, por edhe të volejbollit, ka edhe basketbollistë shqiptarë që po spikatin më parketin kontinental. I tillë është Elvis Dusha, lojtari 1 m e 88 i lartë, që është përfshirë në një nga 10 aksionet më të bukura të javës së 13-të të Ligës Britanike të Basketbollit për meshkuj.
Ndërkohë, skuadra e Dushës është kualifikuar edhe për në finalen e Kupës, që do të luhet më 28 janar në Birmingem. Elvis Dusha është njëri nga basketbollistët shqiptarë që militon në kampionatet e vendeve të Evropës dhe lojtari 1 m e 88 i lartë ka spikatur, duke u përfshirë në një nga 10 aksionet më të bukura të javës së 13-të të Ligës Britanike të Basketbollit për meshkuj.
Në duelin ndaj Shefilldit, 23-vjeçari që luan për ngjyrat e Uërçester Vulvs, ka ndërmarrë një depërtim të bukur, duke dhënë në fund një pasim të zgjuar, të finalizuar me sukses nga një prej shokëve të tij të skuadrës, Xhilkristi. Po në këtë ndeshje, ai ka dhënë edhe një pasim të bukur për të njëjtin lojtar, aksion ky që është përfshirë gjithashtu në 10-shen e javës në Ligën Britanike të Basketbollit për Meshkuj.
Aktualisht, skuadra e Dushës, i cili ka luajtur me Kombëten kuqezi të basketbollit për meshkuj, të drejtuar nga ish-trajneri Antonis Konstantinides, por nuk është thirrur nga ai aktual, Antonios Dukas. Skuadra e Uërçester Vulvs aktualisht mban vendin e 8-të në renditjen e kampionatit me 12 skuadra të Britanisë së Madhe, që është edhe vendi i fundit që të çon në “play-off”-in final për titull.