AlbanianSport.com 26.06.2016 17:55
ASNN – Përtej futbollit, kjo verë pritet të jetë e ngjeshur edhe për basketbollin shqiptar, me plot 5 Kombëtare moshash që do të konkurrojnë në fazën eliminatore të Evropianëve përkatës. Njëra prej tyre është edhe ajo e Nën-vjeçarëve, që drejtohet nga trajneri malazez Darko Vujaçiç dhe që në grupin e saj do të jetë përballë Britanisë së Madhe, Greqisë, Holandës, Irlandës, Kosovës.
Trajneri malazez i Kombëtares së Nën-20-vjeçarëve, Darko Vujaçiç, së bashku me ndihmësit e tij, Odise Profka e Bekim Abrazhda, është duke punuar intensivisht me grupin e 24 basketbollistëve, që në fakt janë federuar në Federatën Evropiane të Basketbollit që më 3 qershor 2016. “Ne po përgatitemi me intensitet dhe, duke parë edhe elementët që kemi në dispozicion, pres nga kjo skuadër që të luftojë për rezultat dhe të tregojë se di të luajë një basketboll të mirë”, – ka thënë Vujaçiç.
“Natyrisht, grupi ynë është i vështirë, me skuadra të forta dhe me përvojë në arenën ndërkombëtare, por unë shpresoj në një paraqitje më tepër sesa thjesht dinjitoze”, – ka shtuar malazezi i kuqezinjve të koshit. Siç dihet, nga data 15, deri më 24 korrik 2016 në Halkidhiki të Greqisë, kjo Kombëtare do të jetë përballë Britanisë së Madhe, Greqisë, Holandës, Irlandës, Kosovës.