AlbanianSport.com 14.06.2016 22:20
ASNN – Shqipëria e basketbollit do të ketë përpara një verë të ngjeshur me veprimtari, pasi, përveç dy Kombëtareve të të rriturave dhe të rriturve, do të zbresin në parket edhe 5 Kombëtare të grupmoshave, meshkuj dhe femra. Një nga këto edhe edhe ajo e Nën-18-vjeçareve, e cila drejtohet nga malazezi Petar Mijoviç, i cili besoj tek një paraqitje e mirë përtej grupit të fortë.
Vazhdon procesi i përzgjedhjes për Kombëtaren shqiptare të Nën-18-vjeçarëve në basketboll për meshkuj dhe, për trajnerin Petar Mijoviç, priten edhe elementë të tjerë nga jashtë vendit. “Nuk jam edhe aq i kënaqur me cilësinë e elementëve që kam parë këto dy ditë, por unë besoj se, në përfundim të përzgjedhjes së këtyre 60-70 sportistëve që kemi në dispozicion, por edhe duke patur parasysh një numër basketbollistësh shqiptarë që luajnë në Greqi, Itali apo gjetkë, do të krijojmë një 12-she të mirë”, – ka thënë ai
Kombëtarja do të jetë përballë Anglisë, Sllovakisë, Skocisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë, një grup që sipas trajneri malazez të kuqezinjve, Mijoviç është i fortë. “Padyshim një grup i vështirë, por ne do të bëjmë më të mirën tonë, si në drejtim të përfitimit të përvojës, por edhe në drejtim të arritjes së rezultateve”, – ka thënë Mijoviç. Kombëtarja e Nën-18-vjeçarëve konkurron në Divizionin B të Kampionatit Evropian të Basketbollit të grupmoshave dhe ndeshjet e saj do të luhen nga data 29 korrik, deri më 7 gusht 2016 në Shkup të Maqedonisë.