AlbanianSport.com 15/01/2020 20:35
ASNN – Vllaznia ka pësuar të martën humbjen e 5-të në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj (BIBL), duke u mundur 87-91 përballë Pejës në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, por presidenti i klubit shkodran, Alban Xhaferri, ka parë shenja pozitive nga skuadra, veçanërisht duke patur parasysh se ishte ndeshja e parë e vitit dhe me një trajner e disa lojtarë të rinj.
Ndërkohe biznesmeni ka folur edhe për merkaton që Vllaznia ka bërë. “Kemi bërë vërtet shumë lëvizje, por ndryshimet e shumta në skuadër normalisht që nuk janë të mira, por bëhen gjithmonë në funksion të realizimit të objektivave, – ka thënë ai. – Me dy lojtarët që kemi marrë së fundmi, besoj se e kemi mbyllur merkaton dhe do të luftojmë fort për të shkuar drejt titullit “kampion”.”
Janë 3 trajnerë qe kane drejtuar ekipin shkodran këtë sezon, teksa i pari ishte bullgari Nikolai Gospodinov, i ndjekur nga kroati Vladimir Ivankoviç dhe tani është malazezi Darko Vujaçiç që ka marrë në dorë frenat e skuadrës. Në lidhje me këtë çështje, lëvizjet e shpeshta sa i përket stolit të koshit kuqeblu, presidenti Xhaferi, e pohoi se ky ka qenë një problem për shkodranët.
“Natyrisht nuk është gjë e mirë të ndërrosh 3 trajnerë brenda një periudhe kaq të shkurtër, por shpresojmë që, siç thotë një shprehje popullore, ky të jetë “i treti i vërteti” dhe ta çojmë deri në fund dhe të kemi sukses, – ka thënë ai. – Ne kemi besim se Vujaçiçi është njeriu i duhur për ta drejtuar ekipin e për ta çuar atë drejt suksesit”.
Klikoni videon e mëposhtme për intervistën e plotë të presidentit të Vllaznisë së basketbollit për meshkuj, Alban Xhaferri, dhënë për RTSH Sport pas përfundimit të ndeshjes me Pejën: