AlbanianSport.com 22/11/2018 13:10
ASNN – Aron Uilliams ka ndërmarrë një aventurë, teksa ka kontaktuar vetë me Goga Basket dhe ka zbarkuar në Shqipëri për të provuar fatin, duke arritur të sigurojë një kontratë me skuadrën bregdetare. Dhe, për amerikanin, aventura ia ka vlejtur. “Absolutisht! – thotë ai. – Ka qenë një nga gjërat më të mira që kam bërë në gjithë jetën time.”
“Thjesht të jem këtu me shokët e skuadrës, me trajnerin, më të mirin që kam patur deri tani, – ka vijuar basketbollisti. – Njerëzit këtu janë të mirë, vendi është i bukur dhe jam i lumtur që po kontribuoj për këtë skuadër.” Për 27-vjeçarin, faza e parë që Goga Basket ka bërë është një ogur i mirë për kampionatin. “Natyrisht që ky ekip i ka përligjur, madje tejkaluar pritshmëritë”, – thotë Aroni.
“Është shumë më tepër se ç’e prisja dhe jam thjesht i lumtur që jam këtu, dhe ne shpresojmë t’i japim titullin “kampion” Goga Basketit”, – ka shtuar basketbollisti amerikan, sipas të cilit, çdo ndeshje duhet vlerësuar si finale. “Unë mendoj që çdo ndeshje ne duhet ta shohim si ndeshjen më të vështirë, pa e nënvlerësuar kundërshtarin, duke luajtur fort, duke luajtur zgjuar, duke i respektuar të gjithë, por duke synuar të fitojmë sa më shumë ndeshje të mundemi.”
Edhe Uilliams, ashtu sikundër bashkatdhetari Grifin Rame, beson në potencialin e Goga Basketit për titullin “kampion. “Padyshim! Ne kemi disa lojtarë mjaft të mirë dhe më ka lënë mbresa talenti i madh që Goga Basket ka mbledhur në skuadër dhe ne kemi pritshmëri me të vërtetë të mëdha!”, – ka përfunduar basketbollisti amerikan i bregdetarëve, Aron Uilliams. Goga Basket ndeshet të dielën në mbrëmje në kryeqytet me Tiranën.