AlbanianSport.com 24.10.2016 07:55
ASNN – Përfaqësuesja e Shqipërisë në Ligën Ballkanike, Tirana, do të luajë sonte ndeshjen e 3-të në kuadër të grupit B dhe, bardheblutë janë përballë Sutjeskës së Nikshiqit të Malit të Zi. Ndeshja nis në ora 18:00. Veprimtaria rajonale e basketbollit të klubeve, Liga Ballkanike, ka nisur ndeshjet e treta të fazës së saj të grupeve dhe përfaqësuesja e Shqipërisë , Tirana, do të luajë sonte ndeshjen e 3-të në kuadër të grupit B.
Siç dihet, 12 skuadrat pjesëmarrëse në fazën e parë janë ndarë në dy grupe me nga 6 skuadra secila dhe 4 të parat e çdo grupi do të vijojnë më tej në fazën çerekfinale, që gjithashtu do të zhvillohet me sistem grupi. Bardheblutë e koshit janë sonte përballë Sutjeskës së Nikshiqit dhe ndeshja do të luhet në fushën e malazezëve duke nisur nga ora 18:00.
Si drejtuesit dhe trajneri bardheblu, Sllobodan Petrovski, ashtu edhe lojtarët, të kontaktuar me telefon, janë shprehur optimistë për një paraqitje pozitive me synim fitoren, ndonëse e kanë pranuar se sfida është e vështirë. “Luajmë ndaj një skuadre e cila, që në fillim, është cilësuar si favorite e grupit, e për më tepër, që luan në shtëpi dhe do të ketë edhe ndihmën e sportdashësve vendas”, – ka pohuar për Televizionin Shqiptar maqedonasi i stolit bardheblu, Petrovski.
Tirana ka luajtur dy ndeshje në këtë fillimsezoni të Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj, duke mundur në shtëpi Trepçën e Mitrovicës në takimin e parë dhe duke u mundur në takimin e dytë, të luajtur në Maqedoni përballë Feni Industries.