AlbanianSport.com 14.03.2017 09:45
ASNN – Trajneri i Vllaznisë në basketboll për meshkuj, kroatin Jeronimo Sarin, ka kërkuar më tepër nga skuadra e tij në rrugën drejt mbrojtjes së titullit “kampion”, që për kuqeblutë, do të ishte i 5-ti radhazi. Vllaznia dhe Tirana kanë dhuruar spektakël në përballjen midis tyre në fundjavë dhe, për trajnerin e shkodranëve, ndeshja ishte një vitrinë e basketbollit shqiptar të meshkujve.
“Kjo ndeshje është e nivelit shumë të lartë, ndeshjet e tjera nuk i përgjigjen këtij niveli dhe janë më larg tij, – ka thënë ai. – Përfundimisht, Tirana dhe Vllaznia, me këtë nivel që kanë janë dy ekipe që munden me lujtë edhe në ligat e tjera shumë të mira të Evropës. Pavarsisht fitores, kroati e di që skuadra e tij ka ende shumë për të bërë. “Të gjithë duhet ta dinë që ne kemi bërë një ndeshje të keqe”, – tha Sarini.
“Taktikisht kemi bërë shumë gabime, si në sulm dhe në mbrojtje, – vijoi ai. – Ne fituam vetëm prej karakterit të lojtarëve tanë që kemi në ekip, dhe ato donin që të fitonin me çdo kusht këtë ndeshje për të gëzuar gjithë atë publik që ishte i pranishëm në pallatin e sportit. Në këtë ndeshje ne kuptuam që duhet të mësojmë shumë prej gabimeve që kemi bërë.”
“Definitivisht ne duhet të jemi më kompakt në ndeshjet e tjera kundra Tiranës që t’i bëjmë ballë akoma më mirë”, – ka thënë trajneri kroat, i cili ka pasur vlerësim maksimal për publikun shkodran. “Shumë mirë, shumë mirë, më kanë impresionuar pa fund, – ja thënë Sarini. – Unë jam i mësuar, sepse edhe në Kroaci është e njëjta atmosferë nëpër pallate sporti.”
“Ndoshta niveli i kampionatit kroat me nivelin e kampionatit shqiptar nuk është i barabartë, por në nivelin e tifozëve është i barabartë”, – ka përfunduar trajneri i Vllaznisë së basketbollit të meshkujve, kurse Vllaznia-Tirana ka qenë një duel stoli i shkollës ish-jugosllave. Me këtë fitore, duke mundur ekipin kryesues të kampionatit shqiptar, Vllaznia tashmë duket qartë se ka hedhur seriozisht hapin duke u pozicionuar si kandidate dhe pretendente kryesore për trofe, ku 4 titujve kampion radhazi t’i shtojë këtë sezon edhe të pestin.