AlbanianSport.com 13/11/2018 23:00
ASNN – Prishtina ka mundur edhe Steauanë e Bukureshtit dhe është kualifikuar me meritë për në turin tjetër të “FIBA Europe Cup” në basketboll për Meshkuj. Klubi i Basketbollit të i kryeqytetit të Kosovës arriti një tjetër fitore bindëse në këtë veprimtari të koshit kontinental, që ishte e 4-ta në 5 ndeshje të luajtura në kuadër të grupit E. Madje Prishtina mori të martën në mbrëmje dhe kryesimin e këtij grupi me 9 pikë. Në Pallatin e Sportit dhe të Rinisë në Prishtinë vendasit mposhtën skuadrën e Steauasë së Bukureshtit me rezultatin 74-69.
Ishte një lojë me dy fytyra e Prishtinës, nisur dhe nga fakti se e kishte siguruar kualifikimin që në ndeshjen e kaluar kundër ukrainasve të Çerkaski Mavpisë. 10-minutëshi i parë përfundoi 25-17 për Prishtinën, e cila dukshëm ishte superior ndaj kundërshtarit. Duhet thënë se rumunët nuk kanë marrë asnjë fitore në 5 ndeshje të luajtura, por çuditërisht në këtë ndeshje u treguan të fortë në momente të caktuara të lojës. Kështu, 10-minutëshi i dytë u fitua nga Steauasë me shifrat 19-9 dhe gjysma e parë e ndeshjes përfundoi me shifrat 34-36 për miqtë.
Prishtina shpërtheu në 10-minutëshin e tretë, duke fituar 23-12 dhe duke krijuar mundësinë e fitore. Steauaja provoi të befasonte më 10-minutëshin e katërt, duke e fituar me shifrat 17-21, por pa mundur ta përmbyste ndeshjen, e cila me rezultatin 74-69 u fitua nga Prishtina, e cila merr përkohësisht kryesimin e grupit E, në pritje të ndeshjes tjetër, asaj midis Baken Biirs të Danimarkës dhe Çerkaskit ukrainas. Në grupin E, skuadra e kryeqytetit të Kosovës do të ketë dhe një duel të fundit me “arushat” daneze, Baken Biirs.