AlbanianSport.com 25/10/2018 10:40
ASNN – Një nga ndeshjet më të spikatura të javës së 4-ët të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, është ajo e së shtunës midis Goga Basket dhe Partizanit. Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, trajneri i skuadrës durrsake, Nikola Milatoviç, bën analizën e këtij fillimsezon të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, ndërsa e sheh të hapur betejën për titull. Ka pësuar humbjen e parë në ndeshjen e javës së 3-të në derbin me Teutën vendase, por trajneri i Goga Basket, Nikola Milatoviç, është i kënaqur me skuadrën e tij.
“Luajtëm një ndeshje korrekte, por jo perfekte, – ka thënë ai. – Nuk do të thoja për një ndeshje të humbur që ishte e mirë, por as e keqe nuk qe. Teuta ka vërtetë një skuadër të mirë, lojtarë të mirë, por skuadra ime ka pak kohë që luan bashkë. Na duhet ende kohë për të ardhur aty ku duhet, por ajo ndeshje me Teutën ishte një ndeshje korrekte.” Takimi i radhës është ai i së shtunës me Partizanin, një skuadër të cilin trajneri malazez e vlerëson lart, ndërsa çmon edhe kontributin që transmetimi i ndeshjeve nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, po jep për promovimin e këtij sporti.
“Po, e kam parë dy herë Partizanin, është një skuadër e mirë, skuadër e re, me një trajner të mirë dhe i kanë fituar ndeshjet e deritanishme të këtij sezoni, – ka thënë Milatoviçi. – Është një ndeshje e vështirë. Dua të vlerësoj këtu edhe rolin e madh që transmetimet televizive po luajnë në këtë fillim sezoni, duke e promovuar sportin tonë dhe ndeshja jonë me Partizanin besoj që do të jetë një tjetër ndeshje e bukur për t’u parë në televizor.” Goga Basket dhe Teuta konsiderohen si dy nga favoritet për titull, por Milatoviçi e sheh më të hapur betejën.
“Nuk do ta thoja këtë, – thekson malazezi i stolit të bregdetarëve, duke folur në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” në Durrës. – Ne jemi me të vërtetë dy skuadra të mira, por unë e respektoj shumë edhe Partizanin, por edhe Tiranën. Ky kampionat po bëhet shumë interesant dhe mjafton të shohësh sesi Partizani e mundi Teutën në javën e parë. Pra nuk mund të thuash se një skuadër është favorite e qartë, prandaj ky kampionat është mjaft interesant. Mua më vjen shumë keq që një skuadër e madhe dhe historike si Vllaznia po kalon një periudhë të keqe.”
“Skuadra ka probleme financiare, por unë besoj se qyteti i Shkodrës ka aq mundësi sa ta ndihmojë skuadrën të rikthehet, sepse është mirë për qytetin, por edhe për basketbollin shqiptar”, – ka përfunduar trajneri i Goga Basket, Nikola Milatoviç. Në kuadër të javës së 4-t, Goga Basket pret të shtunën në mbrëmje Partizanin në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” në Durrës.