AlbanianSport.com 22/02/2019 07:55
ASNN – Trajneri i Tiranës flet para përballjes së të shtunës me rivalen kryeqytetase, Partizanin. Kampionia në fuqi e basketbollit të meshkujve, Tirana, shkon në përballjen e javës së 13-të me Partizanit në pozita disi më inferiore, por, për trajnerin Erkand Karaj, derbi ka të tjera vlera si përballje.
Tirana është e vetmja skuadër pa lojtarë të huaj dhe, duke theksuar se nuk është kundër të huajve, trajneri i bardhebluve kryeqytetas thotë për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, si lipsen kufizime.
Ish-basketbollisti i Kombëtares e pranon se Durrësi është paksa më i favorizuar ndaj kryeqytetit në betejën e titullit të këtij viti në basketbollin e meshkujve, por beson se si Tirana, ashtu edhe Partizani, kanë ende për të dhënë.
Derbi midis Partizanit dhe Tiranës, do të luhet të shtunën, duke nisur nga ora 18:00 dhe sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.