AlbanianSport.com 14/05/2019 20:10
ASNN – Sekretari i Përgjithshëm i FSHB-së, replikë me Presidentin e Teutës së meshkujve, Gorrea. Nr. 2 i organizmit që qeveris koshin në vend, Korab Llazani, ka reaguar të martën lidhur me akuzat që Presidenti i Teutës së koshit të meshkujve, Arqile Gorrea, kishte bërë një ditë më parë në drejtim të gjykimit. Për Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, akuzat nuk qëndrojnë, sepse gjyqtarët shqiptarë janë të një niveli ndërkombëtar.
Presidenti i Teutës së koshit të meshkujve, Arqile Gorrea, ka akuzuar të hënën Federatën Shqiptare të Basketbollit për gjykimin e ndeshjeve finale si tendencioz dhe të qëllimshëm. Por nr. 2 i organizmit që qeveris koshin në vend, Korab Llazani, ka reaguar të martën, duke sjellë si shembuj ndeshjet ku Teuta ka fituar në skajet e kohës, duke patur po këta gjyqtarë.
Për Sekretarin e Përgjithshëm të FSHB-së, gjyqtarët shqiptarë janë të një niveli ndërkombëtar. Prandaj Llazani ka bërë thirrje për reflektim dhe kontroll të emocioneve. Duke i bërë thirrje Teutës të marrë masa që shkeljet e rënda organizative që u vërejtën në ndeshjen e dytë të mos përsëriten në takimin e 4-t që do të luhet të mërkurën në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës, përndryshe do të ketë ndëshkime, Sekretari Llazani ka vlerësuar lart edhe këtë sezon të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit.