AlbanianSport.com 10/02/2019 13:55
ASNN – Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Meshkuj po luan takimet e javës së 11-të dhe të shtunën në Shkodër Goga Basket ka mposhtur Vllazninë vendase me rezultatin 90-76, duke ruajtur të paprekur kreun e renditjes së Superligës edhe në këtë nisje të fazës së 3-të të sezonit të rregullt. Në fakt, kjo shihej si një ndeshje e rëndësishme nga të dyja skuadrat, për arsye të kundërta.
Vllaznia, e cila ka bërë disa përforcime me lojtarë amerikanë e serbë, synonte ta përdorte këtë ndeshje si një pikënisje për fillim të ri, teksa i kishte humbur të 10 takimet e dy fazave të para dhe mbante fundin e renditjes. Në krahun tjetër, Goga Basket synonte fitoren për të lënë pas atë zhgënjim të pashpjegueshëm në finalen e Kupës së Shqipërisë përballë Teutës.
Që për më tepër çoi në dorëheqjen e trajnerit malazez, Nikola Milatoviç. Dhe skuadra durrsake, e drejtuar nga trajneri i përkohshëm Melzin Lazimi dhe këshilltarin e tij, Zhani Noti, ka reaguar mjaft mirë në këtë ndeshje, duke e fituar pjesën e parë bindshëm 28-11. Ndonëse vendasit e fitojnë 10-minutëshin e dytë, 17-15, Goga Basket shkon në pushim të ndeshjes duke kryesuar 43-28.
Të dyja skuadrat kanë dalë më të motivuara nga dhomat e zhveshjeve dhe pjesa e 3-të ka qenë e luftuar, por durrsakët e fitojnë atë 29-21, duke vijuar ta thellojnë epërsinë në 72-49. Kjo ka bërë që miqtë ta ulin ritmin në pjesën e 4-t dhe të fundit, të cilën shkodranët e fituar 27-18. Por Goga Basket e fiton takimin 90-76 dhe ruan kreun e renditjes, me 20 pikë.