AlbanianSport.com 20/01/2020 23:20
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe Konsulli i Nderit i Japonisë në Shqipëri vlerësohet për kontributin në marrëdhëniet midis dy vendeve. Qeveria japoneze i ka akorduar z. Avni Ponari dekoratën “Urdhri i Ngritjes së Diellit, Rrezet e Diellit me Fjongon e Qafës”.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit të kësaj dekorate, që është themeluar në vitin 1875 dhe është urdhëri i 3-të më i lartë që akordohet nga qeveria japoneze për personalitetet e huaja për arritjet e jashtëzakonshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, Ambasadori i Japonisë në Tiranë, Ito Makoto, vlerësoi kontributin e gjithanshëm të Ponarit në fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve.
“Gjatë 10 viteve si Konsull Nderi i Japonisë në Shqipëri, Z. Ponari ka punuar me devotshmëri për mbrojtjen e mirëqenies së kompanive, turistëve por edhe japonezëve të thjeshtë që banojnë në vendin tuaj, duke promovuar edhe shkëmbimet kulturore midis dy vendeve”, – tha ai.
“Është shumë e rëndësishme të njihet këtu impakti i kontributeve të tij të shumëfishta, që kanë ndihmuar në ndërtimin e të parës urë miqësie dhe mirëkuptimi midis dy Japonisë dhe Shqipërisë, – vijoi Ambasadori Japonez në Tiranë. Për këtë arsye, kjo dekoratë vlerëson pikërisht këtë kontribut.”
Në fjalën e tij, Ponari shprehu mirënjohjen e tij për këtë dekoratë. Në këtë ceremoni ka përshëndetur edhe ish-Ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, i cili ka vlerësuar domethënien e kësaj medaljeje.