AlbanianSport.com 28/02/2019 20:15
ASNN – Dy përfaqësues kontinentalë, tur nëpër hotelet e Tiranës dhe në Sallën Sportive “Feti Borova”. Shqipëria do të mirëpresë në javën e 3-të të korrikut të këtij viti takimet e Divizionit C të Evropianit të basketbollit për Nën-16-vjeçarët dhe të enjten kanë mbërritur në Tiranë një grup inspektimi nga “FIBA Evropë”. Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, përfaqësuesja e FIBA-s, Radmilla Tërner është shprehur e kënaqur me atë çka Shqipëria ofron.
“Ne jemi të ngazëllyer me këtë mundësi që i është dhënë Shqipërisë, sepse ajo ka qenë kandidate prej disa kohësh tashmë, – ka deklaruar ajo. – Unë e di sesi funksionon Federata dhe njerëzit e saj. Por, nga kjo vizitë që bëmë këtu, për t’i parë gjërat nga afër, duhet të them se jemi shumë, shumë të kënaqur me ato që kemi parë, me kushtet që na ofrohen.”
“Hotelet ishin mbresëlënës, ndërsa kjo arenë e re sportive është mbresëlënëse dhe shpresojmë që kjo veprimtari ta zhvillojë edhe më tej basketbollin në vendin tuaj”, – ka vijuar Tërner. Për zyrtaren e organizmit që qeveris koshin kontinental, të tillë turne kanë dobi të shumëfishta për vendet organizatore, sidomos Shqipërinë. “Padyshim!”, – është përgjigjur ajo e pyetur mbi këtë çështje.
“Këto lloj veprimtarish kanë zakonisht dy synime: E para, që vendi organizator të bëjë mirë dhe të organizojë një turne të mrekullueshëm, por akoma më e rëndësishme për ne është trashëgimia që do të krijojë kjo veprimtari, – ka vijuar Tërner. – Që skuadra shqiptare të paraqitet mirë, që Shqipëria të mirëpresë një turne me sukses dhe, si rrjedhojë, shumë më tepër të rinj të vijnë të luajnë basketboll.”
Ndeshjet e Divizionit C të Evropianit të basketbollit për Nën-16-vjeçarët, ku do të marrin pjesë, përveç Shqipërisë, edhe 8 skuadra të tjera përfaqësuese, do të zhvillohen nga data 14, deri më 21 korrik 2019 në Tiranë.