AlbanianSport.com 30/04/2020 20:10
ASNN – Presidenti i koshit kontinental, Demirel, vlerëson nismën në video-konferencën me kreun e FSHB-së, Ponari. Ideja e një lige mbarëkombëtare të basketbollit ka gjetur mbështetjen edhe të presidentit të FIBA Europë, Togaj Demirel. Një gjë të tillë, kreu evropian ia ka konfirmuar presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, gjatë një video-konference.
Presidenti i FIBA Europë, Togai Demirel, ka mbajtur të mërkurën thirri një video konferencë me një grup presidentësh të federatave të vendeve evropiane, për të diskutuar mbi problematikat e shfaqura në këto federata dhe në veprimtaritë e tyre, si pasojë e shpërthimit të epidemisë së koronavirusit. Në këtë video-konferencë, ka marrë pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), Avni Ponari.
Ky i fundit ka përcjellë në organizmin kontinental gjendjen e krijuar në basketbollin shqiptar, por edhe dëshirën e FSHB-së për ta mbyllur sezonin mbështetur mbi meritën sportive. Në fjalën e tij, përveç prezantimit të situatës basketbollistike në Shqipëri, Presidenti Ponari i është rikthyer diskutimeve të mëparshme, me të njejtën temë, atë të krijimit të ligës rajonale me ekipe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Një ligë e njohur ndryshe edhe si “Liga Mbarëkombëtare e Basketbollit”, ndonëse në FSHB këmbëngulin se ajo do të jetë e hapur edhe për skuadra joshqiptare të rajonit. Pas mbylljes së këtij takimi me përfaqësuesit e federatave evropiane, Ponari e ka vazhduar bisedën privatisht, më në hollësi me presidentin Demirel. Komentet kanë qenë mjaft pozitive, duke vlerësuar nismën dhe priten hapa konkrete nga palët.
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë: