AlbanianSport.com 11/02/2018 18:55
ASNN – Me 58 pikë diferencë, baltiket ia kanë arritur qëllimit për të marrë fitoren e tyre të parë në këto eliminatore, por vajzat kuqezi nuk mjaftojnë. Disfata nuk na ndahet në basketbollin e femrave në Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2019. Pikërisht dje në mbrëmje, Shqipëria e trajnerit Viron Toska është mundur me 58 pikë diferencë nga Lituania, e cila në vendin tonë ka gjetur suksesin e parë të këtyre garave.
Në fakt, vajza kuqezi kanë shënuar më shumë sesa në dy ndeshjet e para dhe kanë pësuar më pak, por humbjet janë bërë njësh me ne. Të paktën në pjesën e parë, edhe falë 3-pikëshave të Bujarit, Shqipëria ka patur kurajën për të kaluar në epërsi. Por vetëm kaq, sepse Lituania shpejt e vë ndeshjen nën kontroll, ndërsa 10-minutëshin e parë e fiton 31-21.
Diferencat janë të dukshme dhe në pjesën e dytë, atje ku Lituania fiton 31-14 dhe ka thelluar në 62-35. Luajnë diçka më mirë Kombëtarja kuqezi në pjesën e tretë, ndërsa dallohet Elektra Zykaj që ishte lojtarja më e mirë e kombëtares sonë, por dhe Aliaj nga poshtë koshit. 22-30 për Lituaninë dhe në total 92-57. E fundit është një katastrofë e vërtetë.
Ndërsa lituanezet, që kanë luajtur me të gjithë lojtarët që kanë pasur në dispozicion vetëm kanë thelluar. 4-27 dhe në fund 61-116 kurse fundi i ndeshjes ishte i rëndomtë për t’u shtyrë. Përtej ndonjë shkëndije përmirësimi, edhe kjo humbje me Lituaninë, apo dhe ajo që do të vijë në ditën e “Shën Valentinit” në vizitën ruse është pasqyrim i nivelit të kampionatit, atje ku gjithçka ecën me hapat e “breshkës”.
Shkurt humbja me Lituaninë nuk ishte e papritur…
Shqipëri – Lituani 61-119
(21-31, 14-31, 22-30, 4-27)
Shqipëria: Myrto (9), Xhanaj (5), E. Bujari (13), Aliaj (6), Palko (3) / Zykaj (19), Gjoni, Toska, Berranija (2), Sinani, G. Bujari. Trajner: V. Toska
Lituania: Nacickaite (20), Okckite (9), Petronite (24), Sulciute (10), Kvederaviciute (10) / Saurazaite (4), Knizaite (3), Grigalauskite (17), Druskite (3), Svarite (2), Labuckiene (17). Trajner: M. Shernius
Gjyqtarë: M. Kavara (Bosnjë-Hercegovinë), G. Barbara (Maltë), M. Kaludjeroviç (Mali i Zi)