AlbanianSport.com 25/01/2024 18:05
ASNN – Veprimtaria e përbashkët mbarëkombëtare e basketbollit midis Shqipërisë dhe Kosovës, Liga Unike, ka nisur në mesjavë me edicionin e 3-të të femrave, teksa janë luajtur ndeshjet e javës së parë. Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Prishtina me Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, Presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, ka rrëfyer edhe pritshmëritë e tij për këtë veprimtari. “Në fakt, janë siç kanë qenë përherë, pasi ne presim që të kemi një garë të mirëm veçanërisht tek femrat, aty ku kemi patur një garë të mirë tek të gjitha vitet që lamë pas”, – ka thënë ai fillimisht.
“Kjo ligë është përtej parametrave mbarëkombëtarë dhe që ne duam t’i kultivojmë përmes kësaj lige, – ka vijuar Fetahu. – Kjo është një ligë zhvillimore, ku skuadrat tona pritet të kaliten për veprimtaritë evropiane dhe për nivele më të larta garimi në të ardhmen, kështu që shpresoj që do t’i përmbushim të gjitha këto pritshmëri që kemi, përmes këtij garimi, që sivjet po e fillojmë me pak vonesë, por jam shumë i lumtur që po shkojmë sipas planit që kemi miratuar bashkarisht me Federatën Shqiptare të Basketbollit (FSHB).”
“Dhe unë uroj që do ta kemi një garë të nxehtë, edhe nga ajo që kemi parë nga java e parë, që lamë pas”, – ka shtuar ai. Femrat kanë zhvilluar ndeshjet e javës së parë, me dy fitore të ekipeve nga Kosova dhe një nga Shqipëria. Por si e pa këtë javë të parë kreu i organizmit që qeveris koshin dardan? “Java e parë ishte e mirë dhe unë besoj se ka hapësirë sa i përket përmirësimit të cilësisë së basketbollit, ka hapësirë për përmirësim tek të dyja palët, tek ekipet e dy shteteve tona, – ka theksuar Presidenti i FBK-së.
“Por, që të them të drejtën, për mua personalisht rezultati është dytësor, pasi parësor në këtë turne është që të kemi nivel më të mirë organizativ, që të kemi një garë të mirë dhe të fuqishme, dhe të paparishikueshme deri në fund, sepse kjo është ajo që e bën basketbollin të bukur dhe e bën joshës për publikun, – ka vijuar ai. – Do të ishte mirë që në fund të kulmonte me një “4-she finale” të mirë. E bukura është që ne kemi në Ligën Unike 3 ekipet më të mira momentalisht nga Kosova, bazuar mbi renditjen e sezonit të shkuar, dhe po ashtu edhe ato nga Shqipëria.”
“Dhe po shpresoj që për vetë këto vajza dhe për vetë ekipet, Liga Unike të sjellë një përvojë të mirë, jo vetëm sa i përket garimit, por edhe organizimit dhe shpresoj që të kemi një garë me shumë të panjohura deri në fund, siç e kemi patur edhe dy sezonet e mëparshme”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.