AlbanianSport.com 02/09/2019 15:35
ASNN – Ditën e hënë ka filluar grumbullimi i ekipit kombëtar në prag të dy ndeshjeve eliminatore të radhës, fillimisht kundër Francës në 7 shtator 2019 dhe pastaj ndaj Islandës në “Elbasan Arena”, 3 ditë më pas. Për të folur për grumbullimin dhe këto dy sfida, kanë dalë në pasdreke një konferencë për shtyp Bekim Balaj dhe Thomas Strakosha. Në fjalën e tij, sulmuesi shkodran u shfaq optimist në prag të ndeshjeve me Francën dhe Islandën. “Përqendrimi dhe vlerësimi është maksimal, – ka thënë ai. – Dihet forca e kundërshtarëve që kemi përpara. Shpresoj që grupi të jetë gati dhe t’i përballojmë.”
“Do të pretendojmë të marrim pikë edhe në Francë, – ka vijuar Balaj. – Me Francën kemi përvojë deri diku pozitive. Jemi të detyruar të pretendojmë për pikë. Më vjen mirë që vij në ekip kombëtar me gola. Forma dhe minutazhi ndikojnë. Vij nga një moment i mirë. Ndeshjet i kam luajtur të plota. Shpresoj që ecuria pozitive të vazhdojë edhe në ndeshjet e ekipit Kombëtar. Trajneri më përgëzoi për golat dhe aktivizimin. Në ekipin Kombëtar dëshira është e të gjithëve për të luajtur. Në fund është trajneri që bën zgjedhjen. Normalisht që ai do të bëjë zgjedhjen e duhur. Të shohim. Nuk është momenti që të plotësojnë tekat apo dëshirat tona.”
““Misteri” e ka përgatitur maksimalisht ndeshjen dhe e di mënyrën si do të luajë ekipi”, – përfundoi sulmesi i Kombëtares, Bekim Balaj. Ndërkaq, Thomas Strakosha u shfaq i lumtur për rikthimin në skuadër pas dëmtimit që e la jashtë për ndeshjet e qershorit me Islandën dhe Moldavinë. “Shyqyr Zotit që kësaj here erdha në kohë, – e nisi ai me një batutë. – Gjithçka perfekte. Ne kemi kualitetet, këtë gjë e kemi treguar. Tani thjesht duhet të bëjmë një grup të fortë dhe të jemi gjithmonë pozitivë. Vitin e kaluar humbëm grupin që kishim. Vetëm si grup mund të bëjmë diçka të mirë. Po të kemi grupin, kemi shans të kualifikohemi.”
“Këto 2 ndeshje do të tregojnë nëse do të jemi në garë për t’u kualifikuar apo jo, – ka pohuar portieri i Lacios. – E dimë të gjithë që janë ndeshje të rëndësishme, por nuk duhet të mbingarkohemi. Duhet të jemi pozitivë, të stërvitemi mirë dhe të shohim çfarë do ndodhi. Të dyja janë sfida të rëndësishme. E ka trajneri në dorë se kush do aktivizohet. Unë ndihem mirë. Berisha apo Strakosha në portë? Unë gjithmonë e kam thënë, konkurrenca është pozitive. Njihem me Berishën prej 6 vitesh. Në Kombëtare nuk ka rëndësi kush do luajë, rëndësi ka që ne të fitojmë.”
“Kush luan e ka trajneri në dorë. Trajneri Reja? Rejën e kam njohur vitin e parë kur isha te Lacio. Unë shikoj që është pozitiv me ne. Për mua kjo është gjëja e rëndësishme. Ne vijmë vetëm 10 ditë me ekipi Kombëtar dhe nuk mund të ndryshojmë shumë gjëra. Çfarë kemi duhet ta japim në fushë. Për mua e bën mirë punën. Këto 2 ndeshjet janë më të rëndësishme. Unë ndihem mirë dhe jam gati! Prandaj jam këtu”, – ka përfunduar portieri i Kombëtares kuqezi, Thomas Strakosha.