AlbanianSport.com 12/01/2024 22:30
ASNN – Futbolli gjerman ka heshtur të premten të mbrëmje në një minutë zie të plotë, në nderim të atij që ishte padyshim më i madhi i shekullit të fundit, Franc Bekenbauerit. Ka qenë skuadra e tij, Bajerni i Mynihut, që hapi siparin e ndeshjeve të Bundesligës për vitin 2024 dhe ku ishte momenti më i mirë që bavarezët të nderonin figurën e një prej emrave që i ktheu ata në klub të madhe. Legjenda e futbollit botëror u nda nga jeta pak ditë më parë dhe klubi vendosi të mbante sonte para sfidës ceremoninë e vogël në përkujtim të tij.
Para fillimit të sfidës së Bajernit ndaj Hofenhajm, në qendër të fushës në “Allianz Arena” ishte vendosur një foto gjigande e Franc Bekenbauerin në vitet e tij si futbollisti te ky klub. Ndërkohë, në altoparlantët e stadiumit, u dëgjua edhe mesazhi prekës që Bajerni kishte për ish-kapitenin, trajnerin e drejtuesin e këtij klubi. “Familja e futbollit është e bashkuar për largimin e një njeriu unik”, u dëgjua nga altoparlantët, teksa u ftuan tifozët që të mbanin minutën e heshtjes.
Fillimisht kishte duartrokitje, mes të cilave dalloheshin edhe të emrave që e shoqëruan për një kohë të gjatë në rrugëtimin e tij si Hënes, Rumenige e Brajtner, të cilët me zor mbanin lotët. Ndërsa më pas pllakosi heshtja e plotë, për të përkujtuar në këtë mënyrë legjendën e futbollit gjerman. Të dyja skuadrat dhe gjyqtarët mbanin në krah shiritin e zi përkujtimor. Dhe Bajerni i Mynihut e nderoi me një fitore legjendën e tij, pas mundi Hofenhaimin me rezultatin 3-0, me dy gola të realizuar nga i riu Xhamal Musiala dhe nga anglezi Herri Kejn.