AlbanianSport.com 12.02.2017 22:45
ASNN – Shqipëria ka një nënkampione të re të Ballkanit në atletikë, pasi Relaksa Dauti është renditur e dyta në garën e 800 metrave të Kampionatit Ballkanik të Atletikës në Salla të Mbyllura për Të Rinj e të Reja, që u mbajt në Stamboll. Një sukses ky i sportistes së re, por, që, për trajnerin Taulant Stërmasi, erdhi si rrjedhojë logjike e ecurisë së saj.
Kështu pra, më pak se 48 orë pasi nënkampionia e Evropës në 3000 metra me pengesa, Luiza Gega për garat e verës, ia kishte dalë të premten në mbrëmje në Francë të thyejë rekordin kombëtar të një tjetër gare, asaj të 3,000 metrave, është kushërira e saj e parë, 15-vjeçarja Relaksa Dauti, që shpallet nënkampione e Ballkanit në garën e 800 metrave të Kampionatit Ballkanik për Të Rinj e të Reja, që u mbajt në Stamboll.
Një sukses ky i sportistes së që për trajnerin Taulant Stërmasi, erdhi si rrjedhojë logjike e ecurisë së saj. Për Stërmasin, Dauti është e ardhmja e atletikës shqiptare. Në garën e Stambollit, Dauti mbërriti e dyta në finish me kohën 2 minuta, 12 sekonda e 74 të qindtat, por vetëm 33 të qindtat e sekondës pas vendit të parë, që u mor nga rumunia Bogos.