AlbanianSport.com 21.08.2017 17:50
ASNN – Nënkampionia e Evropës 3,000 metrave me pengesa, Luiza Gega, duhet të dalë para Komisionit të Disiplinës së Federatës Shqiptare të Atletikës. Shkak për këtë vendim të kryesisë së Federatës është mospjesëmarrja e atletes në garën e 3,000 metrave me pengesa në Botërorin e Atletikës, që u mbajt përgjatë dy javëve të para në kryeqytetin britanik, Londër. Kështu, është përshkallëzuar edhe më tej përplasja midis Federatës Shqiptare të Atletikës dhe sportistes Luiza Gega dhe trajnerit të saj Taulant Stërmasi.
Burime zyrtare pranë organizmit që qeveris të ashtuquajturën “mbretëreshë të sporteve” në vend kanë pohuar për Televizionin Shqiptar se Kryesia e Federatës ka vendosur nënkampionia e Evropës në 3,000 metra me pengesa duhet të paraqitet para trupës disiplinore të Federatës. Këto burime kanë sqaruar në vijim se ky Komision duhet të mblidhet brenda javës, për të marrë një vendim mbi mospjesëmarrjen e atletes në garën e 3,000 metrave me pengesa në Botërorin e Atletikës, që u mbajt përgjatë dy javëve të para në kryeqytetin britanik, Londër.
Në anën tjetër, trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stërmasi, ka konfirmuar për Televizionin Shqiptar se nuk ka asnjë informacion për këtë mbledhje të kryesisë, ku vetë Ruli pati premtuar në një intervistë se do të ishte e pranishme edhe atletja dhe trajneri i saj. Stërmasi ka sqaruar se ekziston një korrespondencë e rregullt dhe lehtësisht e verifikueshme midis tij dhe Federatës, që është njoftuar që më 1 gusht 2017 për pamundësinë e sportistes për të garuar, por ka vijuar ta regjistrojë atë të nesërmen për të garuar në Londër.
Ndërkohë që, një njohës i mirë i rregullores së Federatës Shqiptare të Atletikës, por që nuk pranon të identifikohet, ka pohuar për Televizionin Shqiptar se dorëzimi nga ana e sportistes e një raporti mjekësor, të përpiluar nga një mjek i njohur ndërkombëtarisht, për pamundësinë e saj për të garuar në këtë Botëror, e rrëzon thirrjen e Luiza Gegës para këtij Komisioni të Disiplinës. Që nga mësimi i lajmit se nënkampionia e Evropës nuk do të garojë në Londër, ka vijuar një debat mediatik midis presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, mjekut Mel Ostreni, por edhe trajnerit Taulant Stërmasi dhe vetë atletes Luiza Gega, debat ky që ka çuar edhe në dërgimin e atletes në Komisionin e Disiplinës.