AlbanianSport.com 10.06.2016 21:05
ASNN – Në Oslo është zhvilluar etapa e shtatë e “Diamond Ligës” në atletikë. Sportistët kanë arritur disa rezultate të mira ku ra në sy rezultati i gjermanit Rohler në hedhje shtize apo koha e arritur nga holandezja Shipers në 200 metra.
Kështu, etapa e shtatë e mitingjeve të “Diamond Ligës” në atletikë, është zhvilluar në kryeqytetin norvegjez, Oslo. Atletët pjesëmarrës kanë arritur rezultate të mira në konkurrim dhe kanë dhuruar emocione tek të pranishmit.
Tomas Rohler i Gjermanisë ka realizuar një hedhje prej 89. 30 m në shtizë duke bërë që të grumbullojë pikë të rëndësishme në renditjen e kësaj veprimtarie. Gara e shumëpritur për të gjithë, ajo e 100 metrave për meshkuj ka patur konkurrencë të madhe.
Por fitues i saj ka dalë De Grase i Kanadasë, me rezultatin 10.06. Edhe në mitingun e Oslos ka munguar sërish Jusein Bolt, pretendenti kryesor i garës së 100 metrave. Gara e 100 metrave me pengesa për femra është fituar nga amerikania Rollins me kohën 12.56.
Ndërsa në 200 metra, holandezja Dafne Shipers ka dhënë kohën 21.93, rezultati më i mirë i arritur në mitingun e Oslos deri tani.