AlbanianSport.com 09.02.2017 08:55
ASNN – Atletika ka shpallur kampionët individualë të dimrit të vitit 2017, në Kampionatin Kombëtar, që u mbajt të mërkurën në Elbasan. Relaksa Dauti dhe Izmir Smajlaj ishin përkatësisht atletët më të mirë të këtij kampionati, të zhvilluan në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Sikundër ishte njoftuar më parë, të mërkurën, në pistën me tartan të stadiumit “Elbasan Arena” është zhvilluar Kampionati Kombëtar Dimëror Individual i Atletikës, i cili është në fakt i barazvlefshëm me atë të sallave të mbyllura, që, për fat të keq, ende nuk ekzistojnë në Shqipëri.
Kjo veprimtari pati një pjesëmarrje të gjerë sportistësh, pasi në total ishin gjithsej 156 atletë, nga të cilët, 113 meshkuj dhe 43 femra. Morën pjesë gjithsej 12 ekipe nga Shqipëria, por edhe sportistë nga Kosova e Maqedonia, të cilat shpesh konkurrojnë jashtë gare dhe nuk marrin pikë në klasifikim.
Në përfundim të këtij Kampionati Kombëtar Dimëror Individual, sportistja më e mirë u shpall Relaksa Dauti e Tiranës me 936 pikë, ndërsa sportisti më i mirë u shpall Izmir Smajlaj i Vllaznisë me 1101 pikë, i cili e ka vlerësuar paraqitjen e tij si një provë të mirë për veprimtaritë ndërkombëtare.
Tanimë atletika shqiptare e ka hedhur vështrimin drejt Kampionatit Ballkanik të Sallave të Mbyllura, që mbahet në fund të shkurtit, por dhe në Evropianit në fillim të marsit.