AlbanianSport.com 08.10.2016 22:45
ASNN – Të dielën, më datë 9 tetor, duke nisur nga ora 09:00 e mëngjesit, më shumë se 1,200 persona, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga gjitha trojet shqiptare në vendet fqinje, do të vrapojnë në “Maratonën e Tiranës 2016”, e organizuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Atletikës. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, u kërkoi qytetarëve që të jenë bashkëpunues dhe të mos përdorin makinën gjatë paradites, por t’i bashkohen maratonës e ta ndjekin atë nga afër.
“Një organizim me përmasa të tilla ndodh për herë të parë në vendin tonë dhe ai synon ta fusë Tiranën në hartën e maratonave që organizohen në shumë qytete të botës”. Kështu e ka cilësuar nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, veprimtarinë që do të mbahet nesër në kryeqytet. Nisur nga pjesëmarrja e madhe, Bashkia e Tiranës i ka bërë edhe një herë thirrje sot të gjithë qytetarëve të saj, që gjatë pjesës së parë të së dielës, nga ora 9.00 deri në 14.00, të shmangin në maksimum daljen me automjete dhe lëvizjet në aksin rrugor ku do të kalojë maratona.
Në Maratonën e Tiranës do të marrin pjesë 4 kategori, në përputhje me distancën që do të përshkojë çdo moshë. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka publikuar planin e lëvizjes së automjeteve gjatë zhvillimit të veprimtarisë, si dhe hartën e itinerarit të maratonës.