Gjergj Vyshka 13.06.2017 13:25
“Diamond Ligë” në Oslo të Norvegjisë është stacioni i radhës për nënkampionen shqiptare të Evropës në garën e 3,000 metrave me pengesa, Luiza Gega. Sipas trajnerit të saj, Taulant Stërmasi, Gega përsëri do të vrapojë në 3,000 metra me pengesa, ashtu sikurse ka bërë më 13 maj 2017 në Shanghai të Kinës, atje ku për shkak të dëmtimit nuk mundi ta përfundonte këtë garë.
Luiza Gega, nënkampionia e Evropës për vitin 2016 në 3,000 metra me pengesa, të enjten do të zbresë në pistë për të garuar në “Diamond Ligë” në Oslo të Norvegjisë. Sipas trajnerit të saj, Taulant Stërmasi, Gega përsëri do të vrapojë në 3,000 metra me pengesa, ashtu sikurse ka bërë më 13 maj 2017 në Shanghai të Kinës, atje ku për shkak të dëmtimit nuk mundi ta përfundonte këtë garë.
Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe, Gega ka dalë e dyta në 1,500 metra në Poloni, si dhe më pas kampione e Turqisë në 3,000 metra me pengesa dhe në 1500 metra. E të gjitha këto pjesëmarrje në “Diamond Ligë” synojnë një rezultat të lartë nga Gega, ashtu sikurse ka deklaruar dhe më parë trajneri Stërmasi. Ndaj pritet që të enjten, atletja shtatshkurtër të ketë një kohë ndoshta rekord kombëtar në 3,000 metra me pengesa, ndërsa në Oslo, Gega vrapon në ora 20:45.