AlbanianSport.com 27/08/2019 22:25
ASNN – Atletja shqiptare nis përgatitjet për Botërorin e Dohas me një triumf në 3,000 m me pengesa në Itali. Luiza Gega i ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme përgatitjet e saj për Botërorin e Dohas, në Katar, që do të mbahet në 10-ditëshin e fundit të shtatorit të këtij viti, duke triumfuar të martën në mbrëmje në një garë ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për Mitingun Ndërkombëtar të Roveretos, të njohur ndryshe edhe si Memoriali “Edo Benedeti”, i cili është mbajtur në mbrëmje dhe ku nga Shqipëria ka garuar vetëm Gega. Në fakt, përkundër pritshmërive për një rivalitet të fortë, teksa të regjistruara për këtë garë ishin plot 21 atlete që përfaqësonin një gjeografi të shtrirë botërore, atletja shqiptare e ka dominuar garën.
Gega ka mbërritur në finish me kohën 9 minuta, 26 sekonda e 73 të qindtat. Ajo ka lënë afro 5 sekonda prapa, në vendin e dytë, kenianen Fensi Sherono dhe afro 11 sekonda prapa në vendin e 3-të, australianen Zhenevievë Lakaze-Gregsonin. Siç shihet, mungesa e rivalitetit ka kushtëzuar edhe kohën e atletes shqiptare, e cila ka qenë e qetë në mbërritjen në finish.
Megjithatë, sikundër ka pohuar për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar nëpërmjet komunikimit elektronik nga Italia edhe vetë trajneri i Gegës, Taulant Stërmasi, kjo ishte një garë kontrolli për rekordmenen shqiptare, e cila ka si synim madhor kualifikimin fillimisht për në finalen e Botërorit të shtatorit në Doha.