AlbanianSport.com 21/07/2022 21:25
ASNN – Luiza Gega, e 5-ta në botë dhe rekord kombëtar. Atletja shqiptare ka regjistruar kohën 9 minuta, 10 sekonda e 4 të qindtat në garën e 3,000 m me pengesa në Botërorin e Atletikës. Një tjetër paraqitje mbresëlënëse kjo e Luiza Gegës në Botërorin e Atletikës, që po zhvillohet në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Atletja shqiptare ka arritur të renditet e 5-ta në botë, një arritje historike më vete kjo, me 9 minuta, 10 sekonda e 4 të qindtat në garën e 3,000 m me pengesa, duke vendosur dhe rekord të ri kombëtar në këtë disiplinë. Ashtu sic ishte parashikuar apo pohuar dhe nga vetë atletja apo trajneri i saj, Taulant Stërmasi, ishte një garë e vështirë, por që janë përmbushur të gjitha pritshmëritë.
Pavarësisht se nuk arriti të futej në zonën e medaljeve, Gega ishte gjatë gjithë kohës në grupin e më të mirave në këtë garë. Arriti të vendosë rekord kombëtar duke përmirësuar ndjeshëm atë të mëparshmin në garën e 3,000 m me pengesa, nga 9 minuta, 14 sekonda e 29 të qindtat, që mbahej po nga ajo, në 9 minuta, 10 sekonda e 4 të qindtat.
Vendin e parë e mori atletja nga Kazakistani, Norah Jeruto, me kohën 8 minuta, 53 sekonda e 2 të qindtat.