AlbanianSport.com 04/06/2018 21:05
ASNN – Lojërat Mesdhetare dhe Kampionati Evropian janë dy synimet madhore të Luiza Gegës në këtë sezon. Atletja e njohur sapo ka thyer rekordin kombëtar të garës së 3,000 metrave me pengesa dhe, duke folur ekskluzivisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ajo ka shpalosur objektivat e saj, por edhe ka bërë apel për më tepër mbështetje.
Ka vendosur një rekord të ri kombëtar në garën e 3,000 metrave me pengesa dhe natyrshëm, Luiza Gega nuk e ka fshehur kënaqësinë e nisjes së sezonit ndërkombëtar me një paraqitje solide. Tanimë atletja e njohur shqiptare e ka hedhur vështrimin drejt dy veprimtarive madhore ndërkombëtare. 29-vjeçarja ka synime madhore për garën e Evropianit.
Megjithatë, Gega bën apel për mbështetje, pasi bëhet fjalë për sport në nivelet më të larta. Në garën e 3,000 metra me pengesa në “Diamond Ligë” në Romë, ajo regjistroi kohën 9 minuta, e 22 sekonda, duke thyer rekordin kombëtar, të cilin e mbante po vetë që nga 2016-a, teksa me 9 minuta 26 sekonda e 5 të qindtat do të shpallej në Amsterdam, nënkampione e Evropës.