Gjergj Vyshka 05.03.2017 11:40
8.08 metra rezultati i shkodranit Izmir Smajlaj, i barabartë me suedezin e vendit të dytë, por Torneus ka pasur një faull më shumë se “mbreti” shqiptar. E ka nisur me 7.81 metra në kërcimin e parë dhe pas xhiros së parë të kërcimeve, ishin 8 finalistë, është i katërti. Shpërthen fort në kërcimin e dytë; 8.02 metra, rekord kombëtar dhe i treti.
Duket se ka emocione, ndërsa nuk ishte e lehtë për të sfida me suedezin Torneus, që në kërcimin e parë pat kërcyer 8.08, apo me ukrainasin Nikiforov, që rezultatin e tij më të mirë e kishte 8.18 metra. Dhe ka një “dishezë” për të në rezultate. Në kërcimin e 3-të faull, në të 4-tin, 6.58 metra, në të 5-tin faull. Shansi i fundit kërcimin e 6-të.
Kanë përfunduar të gjithë atletët, ndërsa ukrainasi e ka mbyllur me 8.07 dhe i 7-ti është Smajlaj për të kërcyer. Vrapim i fuqishëm, kërcim i fuqishëm dhe 8.08 metra. Baraz me suedezin Torneus, që në të 6-tin kërcen 7.98 metra. Është kampion i Evropës atleti shqiptar, sepse ka bërë vetëm dy faulle, kurse suedezi tre.
Dhe festa është e gjitha shqiptar në Beograd. IZMIR SMAJLAJ KAMPION EVROPE, ndërsa përpara shtatë muajsh Luiza Gega do të ishte nënkampione e Evropës në 3,000 metra me pengesa. Atletika shqiptare vijon të kapi majat dhe kjo është meritë e Izmir Smajlajt dhe Luiza Gegës.
Kampionati Evropian i Atletikës
në Salla të Mbyllura – Beograd 2017
Rezultatet teknike të kërcimit së gjati:
1) IZMIR SMAJLAJ (SHQIPËRI) 8.08 M
2) Mishel Torneus (Suedi) 8.08 m
3) Serhiy Nikiforov (Ukrainë) 8.07 m
4) Tomash Jasczuk (Poloni) 7.98 m
5) Julian Hovard (Gjermani) 7.97 m
6) Lazar Aniç (Serbi) 7.90 m
7) Filipo Randaxo (Itali) 7.77 m
8) Elvis Misajns (Letoni) u skualifikua