AlbanianSport.com 21/01/2019 11:40
ASNN – Atleti i ri, Franko Burraj, ka bërë një tjetër paraqitje të mirë, duke spikatur në garën e 400 metrave në salla të mbyllura, të zhvilluar ditët e fundit në Francë. Në fakt, shkodrani ka spikatur në një turne mesdhetar të Nën-23-vjeçarëve, duke u renditur në vendin e 4-t në përfundim të dy garave të zhvilluar në kuadër të kësaj veprimtarie.
Por, ajo që ishte më e rëndësishme sesa renditja e tij, ishte fakti se 21-vjeçari, i cili stërvitet nga trajneri Bruno Rrotani, ka thyer dy herë rekordin kombëtar të disiplinës së 400 metrave për të rritur në salla të mbyllura. Ky rekord mbahej nga Sokol Shepeteja, ish-atleti i Studentit që e pati vendosur atë në Athinë më 22 shkurt të 1997-ës, në moshën 27-vjeçare.
Rekordi i Shepetejës ka qenë 48 sekonda e 85 të qindtat, ndërsa atleti i ri Burraj, e ka ulur fillimisht kohën në 48 sekonda e 77 të qindtat në garën e parë. Ndërkaq, në garën e dytë, i riu premtues ka qenë edhe më agresiv, duke e thyer rekordin e sapovendosur me më tepër se gjysmë sekonde.
Shkodrani ka regjistruar kohën 48 sekonda e 22 të qindtat, çka përfaqëson një përmirësim të rekordit kombëtar me 65 të qindtat. Një arritje mjaft e madhe kjo për atletin e ri shqiptar, i cili, me parametrat që ka dhe me garat që po zhvillon, premton edhe në arenën ndërkombëtare.