AlbanianSport.com 24/01/2019 10:25
ASNN – Apolonia ka dhuruar padyshim atë që ishte rezultati më i papritur i ndeshjeve të para të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë, pasi ka mposhtur Kukësin në shtëpi me rezultatin 2-1 dhe e ka bërë mjaft intriguese përballje e kthimit pas dy javësh.
Ndonëse verilindorët vinin si favoritë në këtë përballje, janë fierakët, të cilët janë një nga 6 skuadrat e nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë së Parë, që kanë mbetur ende në lojë në këtë fazë të Kupës, që kalojnë të parët në epërsi.
Mario Gjata do të gjejë rrugën e rrjetës për vendasit 3 minuta para përfundimit të pjesës së parë, e cila mbyllet kështu me epërsinë minimale të Apolonisë. Në pjesën e dytë, në minutën e 54-t, Hysenshahaj do të dyfishojë epërsinë e fierakëve.
Ndonëse Et’hemi do të shkurtojë largësinë e golave për Kukësin 6 minuta para fundit, Apolonia do të mbahet dhe do të arrijë të marrë me vete një fitore 2-1 për ndeshjen e kthimit pas dy javësh.
Natyrisht goli i shënuar në fushë të huaj e mban të hapur këtë sfidë për Kukësin, që sidoqoftë e ka të qartë se nuk mund t’i lejojë vetes një tjetër hap fals në ndeshjen e kthimit dhe t’i thotë lamtumirë një synimi madhor të këtij sezoni.