AlbanianSport.com 21.11.2016 16:15
ASNN – Apolonia dhe Bylisi kanë shënuar nga një gol dhe kanë ndarë nga një pikë secila, në takimin e zhvilluar të hënën në Fier. Kjo ndeshje, që ishte edhe e fundit të javës së 9-të të grupit B të Kategorisë së Parë, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka luajtur të hënën ndeshjen e fundit të javës së 9-të të grupit B, atë midis Apolonisë dhe Bylisit. Sikundër ka bërë të premten dhe të shtunën, edhe emocionet e kësaj ndeshjeje janë sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i RTSH-së.
Të premten, transmetuesi publik solli takimin e vlefshëm për grupin B, midis Pogradecit dhe Lushnjës, që ndeshje që dhuroi plot 6 gola, por u mbyll në barazim 3-3. Ndërsa të shtunën u transmetua ndeshje Kamza-Burreli, ku skuadra vendase fitoi me një gol të vetëm, të shënuar në pjesën e parë dhe korri fitoren e 9-të në po aq javë kampionat.
Në takimin midis Apolonisë dhe Bylisit, janë miqtë që kalojnë të parët në epërsi, me anë të një goli mjaft të bukur, të shënuar nga shkodrani Jasmin Raboshta. Ndonëse pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të ballshiotëve, fierakët do të jenë kërkues në pjesën e dytë dhe do ta gjejnë golin në minutën e 65-të, me anë të Broshkës.
Përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, nuk ka më gola të tjerë dhe mbyllet në barazim 1-1 kjo sfidë. Apolonia ndan vendin e 6-të dhe të 7-të të renditjes me Dinamon, me nga 10 pikë secila në 9 ndeshjet e para të këtij sezoni, kurse ballshiotët mbajnë vendin e 3-të, me 13 pikë.