AlbanianSport.com 14/01/2020 18:30
ASNN – Francezi 57-vjeçar ngjit kullën 168 metra të lartë në Paris si protestë për pensionet. Alpinisti i guximshëm urban, Alen Rober, dha të hënën kontributin e tij në një protestë të gjatë kundër reformave të planifikuara të pensioneve, duke u ngjitur në një rrokaqiell të mrekullueshëm në periferi të Parisit. “Njerëzit kalojnë 40 vjet të jetës së tyre duke u bërë skllevër, shpesh në një punë që nuk e pëlqejnë, – i tha Alen Roberi agjencisë franceze të lajmeve, “AFP”, para fillimit të ngjitjes së tij. – Ne duam që njerëzit të jetojnë me dinjitet.”
Roberi, i njohur në të gjithë botën për ngjitjen e kullave historike pa litarë – dhe zakonisht pa leje – filloi ngjitjen e tij në ndërtesën “Total”, 187 metra në zonën e biznesit “La Defence” rreth orës 10:30 të mëngjesit. Kalimtarët u shtangën teksa ai ngjitej nëpër grilat e paneleve të qelqit me kornizë metalike, duke marrë 52 minuta për të arritur në majë, ku si zakonisht policia dhe rojet e sigurimit ishin duke pritur. “Ishte shumë e ftohtë, unë nuk mund t’i ndjeja majat e gishtërinjve, kështu që ishte e ndërlikuar, – tha Roberi. -Dhe gjithashtu nuk jam në të njëjtën formë siç isha 20 vjet më parë!”
“Unë jam 57 vjeç, kështu që teknikisht nuk kam larg pensionit, – vijoi ai. – Dhe ngjitja është mënyra e vetme për të fituar para. A do të më duhet të vazhdoj të ngjitem solo deri në moshën 64 vjeç? Apo edhe 67?” Sindikatat kanë zhvilluar një grevë masive transporti kundër ligjit të ri të të pensioneve që nga 5 dhjetori, duke ndërprerë shërbimet hekurudhore dhe duke krijuar probleme në transportin e miliona njerëzve, veçanërisht në rajonin e Parisit.
Nuk është hera e parë që Roberi është ngjitur për të promovuar një mesazh politik. Gushtin e kaluar, ai shpalosi një “flamur paqeje” ndërsa ngjiti 68 katet e Qendrës “Çeung Kong” në Hong Kong, ndërsa qyteti u trondit nga protestat pro-demokracisë duke sfiduar autoritetin e Pekinit. Dhe në vitin 2015, Roberi ngjiti kullën “Engie” në “La Defense” për të tërhequr vëmendjen ndaj thirrjeve për një sistem bankar më transparent e të drejtë.
Klikoni videon e mëposhtme për disa nga çastet më të spikatura të ngjitjes së tij: