AlbanianSport.com 03.05.2017 22:55
ASNN – Siç është bërë e njohur tashmë, në Shqipëri do të organizohet Kampionati Botëror i Aeronautikës. Një veprimtari madhore e tillë organizohet për herë të parë në Shqipëri. Mbi 100 shtete do të sjellin konkurrentët e tyre në vendin tonë. 220 garues nga shtete të ndryshme të botës do të marrin pjesë në këtë Botëror të 9-të, i cili do të zhvillohet nga data 5-14 maj në qytetin e Vlorës, në disiplinën e precizionit.
Ardhja e pilotëve ka filluar ditë më parë dhe do të vijojë me grupe të ndryshme edhe në ditët në vijim. Me të mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”, ata janë nisur për në Vlorë. Aty fillimisht janë njohur me qytetin bregdetar dhe më pas kanë nisur të kryejnë edhe provat e para. Ndërsa një ekip xhirimi i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar është nisur drejt qytetit të Vlorës për të bërë një provë gjenerale, përsa i përket organizimit të kamerave sipas një regjie të përcaktuar.
Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, edhe Botërori i Aeronautikës do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga RTSH. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Aeronautikës, Artion Vreto, të shtunën, në Vlorë do të zhvillohet finalja e kampionatit kombëtar “Albanian Open”. Ky do të shërbejë edhe si një test për pilotët shqiptarë. Ndërsa ata të huaj sipas dëshirës mund të kryejnë teste të ndryshme për të parë kushtet atmosferike të qytetit bregdetar apo edhe vendin ku do të bëhet nisja.