Gjergj Vyshka 03.02.2016 08:45
Veprimtaria përkujtimore për Alfred Ziajin tashmë ka marrë formën e saj zyrtare, ndërsa e shtuna dhe e diela do të jetë pikërisht për të përkujtuar këtë figurë të futbollit vlonjat dhe kombëtar. Është quajtur nga organizatorët “Tre vjet pa Fred Ziajin…”, ndërsa në fakt më 7 shkurt ka dhe 55-vjetorin e lindjes. Për aktivitetin në emër të tij, atje ku do të jenë të ftuar jo vetëm bashkohës, por dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar janë kujdesur Bashkia e Vlorës, Klubi “Flamurtari” dhe Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar.
Sipas programit, të shtunën, do të zbresin në fushë 8 skuadra të futbollit të sallës, pikërisht Vllaznia, Teuta, Edro Vlora, Tirana, KS Ali Demi, Titans, Flamurtari dhe Flabina. Ndeshjet çerekfinale dhe gjysmëfinale, të cilat do të nisin të shtunën në ora 12:00, do t’ia lënë vendin finales, e cila do të luhet të dielën duke nisur nga 12:30. Më parë në ora 11:00, po të dielën, në Pallatin e Kulturës “Labëria” Vlorë do të zhvillohet ceremonia e përkujtimit për Alfred Ziajin atje do të ketë një referat mbi jetën dhe veprimtarinë e tij.
Më pas një vlerësim moral nga familja Ziaji për ish-futbollistët e Flamurtarit dhe trajnerin e atij ekipi. Vijon me ceremoninë e akordimit të titullit “Qytetar Nderi i Vlorës” dhënë nga Bashkia e Vlorës, si dhe akordimi i titujve nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe FSHF. E mandej mbyllja do të jetë nga familjarët dhe shokët e skuadrës. Ky do të jetë programi për përkujtimoren “Tre vjet pa Alfred Ziajin…”, themeluesi i shoqatës kombëtare të Minifutbollit dhe Futbollit të Sallës, Mjeshtër Sporti, si dhe titullin “Nderi i Qarkut të Vlorës”.