AlbanianSport.com 02/03/2024 18:10
ASNN – Liga Unike “Lajthiza”, kështu që do të quhet evenimenti mbarëkombëtar i basketbollit për meshkuj ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Mesditën e së premtes, në fushën “Sigal” përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, që është edhe vendi i themelimit të Ligës Unike, është firmosur marrëveshja e sponsorizimit mes eventit mbarëkombëtar dhe kompanisë “Lajthiza”.
Një marrëveshje trepalëshe mes Presidentit të FSHB-së, Avni Ponari, Presidentit të Lajthiza Invest, Hajri Elezi dhe nënkryetarit të bashkisë Vlorë, Klevis Kaso. Liga Unike Lajthiza do të mbahet me formatin “Final 8” në qytetin e Vlorës nga data 27 deri më 31 mars. Tirana, Kamza, Besëlidhja dhe Teuta janë skuadrat pjesëmarrëse të Shqipërisë, ndërsa Kosova do të përfaqësohet nga Peja, Sigal Prishtina, Trepça dhe “Golden Ylli”.
Presidenti i “Lajthizës”, Hajri Elezi, u shpreh se kompania që ai drejton do të vijojë që të jetë pranë sportit. “Kompania “Lajthiza” për disa vite është mbështetëse kryesore e të gjitha veprimtarie sportive dhe sociale, në veprimtaritë kombëtare dhe ato vendore”. – tha ai fillimisht.
“Është kënaqësi për ne që do të marrim pjesë në këtë event mbarëkombëtar dhe i urojmë sukses të lojtarëve dhe skuadrave në garë. Do të bëjmë më të mirën në shërbimin tonë dhe mbështetjen e Ligës Unike”, – përfundoi Hajri Elezi. Liga Unike e basketbollit midis Shqipërisë dhe Kosovës rikthehet me meshkujt pas një viti pushim, turneu me sistem grumbullimi në Vlorë.