AlbanianSport.com 28.10.2014 19:50
ASNN – Veleçiku që pas katër javësh kampionat ka nëntë pikë, duke qenë vetëm një pikë larg kryesuesve Mamurrasi e Besëlidhja, vazhdon të jetë pa bankinë. Dorëheqja e trajnerit Kreshnik Krepi, fill pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë me Besën, ka shkaktuar një situatë kolapsi në skuadrën koplikase, e cila në ndeshjen e fituar me Burrelin në Krujë është drejtuar nga ndihmëstrajneri Pepaj.
Por teksa Krepi ka shkuar tek Ada e Velipojës, sipas mediave lokale në Internet, një kandidaturë për ta zëvendësuar ka qenë Besnik Duli, i cili ka dhënë dorëheqjen e tij nga skuadra velipojake. Dje në fakt ishte lënë dhe një takim me kryebashkiakut të Koplikut, Ramadan Likaj, që është presidenti i Veleçikut, me ish-trajnerin Besnik Duli. Por, për trajner i Veleçikut ka dalë një tjetër kandidaturë, që është Luan Shpuza.
Shpuza ka pasur bisedimet e tij me presidentin e koplikasve Likaj, teksa ka shpalosur planet dhe opsionet e tij për të qenë në krye të skuadrës koplikase. Tashmë mbetet gjithçka në dorën e presidentit të koplikasve, Ramadan Likaj, për të vendosur nëse trajneri i ri i skuadrës do të jetë Besnik Duli, apo Luan Shpuza.