AlbanianSport.com 19.12.2014 20:25
ASNN – Trajneri i Veleçikut, Besnik Duli, ka reaguar për gazetat sportive të ditës pas ndeshjes me Ilirinë, të cilën skuadra e tij e ka humbur 2-3 në Fushë-Krujë. Sipas tij është e patolerueshme që Federata Shqiptare e Futbollit po na sulmon me të gjitha mënyrat.
“Më duhet të them se dy nga tre golat e Ilirisë kanë qenë në pozicion jashtëloje, – ka vijuar ai. – Jo vetëm kaq, por na ndëshkojnë me karton të kuq, ndërsa pjesë e treshes së gjyqtarëve ishte asistenti që ishte dhe në ndeshjen në “Selman Stërmasi” ndaj Besës.”
“Nuk e kuptoj këtë lloj sjellje, ndërsa jemi skuadër që gjithmonë udhëtojmë dhe kemi financa të pakta. Megjithatë jam i kënaqur me djemtë”, ka thënë Duli, në një kohë që ende Veleçiku nuk e ka ndarë se ku do të luajë këtë javë me Besëlidhjen. “E vendosin drejtuesit, – ka theksuar ai. – Skuadra nuk është e imja.”
“Unë sot jam trajner i saj, nesër s’jam. Por problemi është se Veleçiku duhet të ekzistojë për të gjithë futbollin e Malësisë së Madhe. Megjithatë ajo që nuk më pëlqen është lufta që po na bëjnë gjyqtarët”, – ka përfunduar trajneri i Veleçikut, Besnik Duli.