AlbanianSport.com 30.10.2014 22:55
ASNN – Trajneri i ri i Veleçikut, Besnik Duli, në një prononcim të shkurtër për gazetat sportive të ditës, ka shpjeguar edhe arsye pse i tha menjëherë “po” ofertës së Veleçikut. “Pas largimit nga Ada e Velipojës, natyrisht që desha të pushoj pak, – ka zbuluar ai. – Por ofertës së drejtuesve të klubit koplikas, për të marrë përsipër drejtimin e Veleçikut, nuk mund t’i thoja “jo”.”
“Kjo sepse është skuadra ime e zemrës dhe kam sakrifikuar shpeshherë për të. Mendoj se sivjet ka në përbërje një grup të mirë futbollistësh dhe, me mbështetjen e kryetarit të Bashkisë, jam i bindur se kemi për të bërë gjëra të mira”, – ka përfunduar trajneri i ri i Veleçikut, Besnik Duli. Ndërkohë që përballja e tij e parë do të jetë me Adën në Pukë, ndërsa do të jetë një duel me ish-skuadrën e tij.
Por jo vetëm kaq, por do të jetë dueli i dy ish-trajnerëve, Duli përballë Krepit, që deri të mërkurën e kaluar në Kupën e Shqipërisë ka qenë në krye të Veleçikut. Megjithatë, tashmë është fakt i kryer, Besnik Duli është trajneri i ri i Veleçikut.