AlbanianSport.com 25.10.2014 15:05
ASNN – Sipas mediave lokale sportive në Internet, Kreshnik Krepi, nuk do të jetë më trajner i Veleçikut të Koplikut. Paraditen e së premtes, Krepi ka pasur dhe një takim me presidentin e skuadrës koplikase, Ramadan Likaj, që është njëkohësisht dhe Kryetari i Bashkisë së këtij qyteti. Ai i ka paraqitur Likajt dorëheqjen e tij të parevokueshme dhe ndonëse numri 1 i klubit ka tentuar t’i mbushë mendjen për ta kthyer këtë vendim, trajneri nuk ka hequr dorë nga vendimi i tij.
Në fakt, një dorëheqje e tillë vjen pikërisht pas kualifikimit historik që Veleçiku ka arritur dy ditë më parë në Kavajë ndaj Besës në turin e parë të Kupës së Shqipërisë, duke siguruar vendin midis 16 më të mirëve të veprimtarisë së dytë të futbollit në vend. Por ka qenë vetë Krepi, ai që ka bërë të ditur për mediat se arsyeja që e ka detyruar atë të japë dorëheqjen ka qenë mosmarrëveshja me disa prej drejtuesve të klubit. Ajo që duhet theksuar është se të mërkurën Krepi ka braktisur bankinën teksa Veleçiku kishte barazuar 1-1 dhe kishte kaluar në epërsi 2-1, ndërsa Besës po i cenohej kualifikimi.
Një nga drejtuesit e skuadrës koplikase i ka kërkuar lojtarëve që të lëshojnë. E këtu duket se kanë nisur të çarat mes Krepit dhe drejtuesve të skuadrës koplikase, ndërsa në fakt vlerat e këtij trajneri dihen nga të gjithë dhe kjo u reflektua edhe tek ecuria e Veleçikut sezonin e kaluar, ndërsa ai arriti ta mbante këtë skuadër në Kategorinë e Parë. Edhe nisja që ekipi i ka bërë sezonit të ri ka qenë shumë e mirë. Ai ka fituar dy ndeshjet e para, me Kamzën dhe Ilirinë, dhe ndodhet vetëm 3 pikë larg vendit të parë.
Dhe pavarësisht disfatës së papritur në Lezhë, 0-5 me Besëlidhjen, kjo humbje u kompensua me kualifikimin në Kupë ndaj Besës. Kujtojmë se Veleçiku luan të dielën në Krujë ndaj Burrelit.