AlbanianSport.com 07.11.2014 18:00
ASNN – Karriera e tij pat nisur vrullshëm dhe në mënyrë të shkëlqyer. Bashkë me Armando Vajushin kanë qenë dy futbollistët 19 vjeçarë që tre sezone më parë do të spikasnin tek Vllaznia. Por nëse i pari pati sukses dhe sot luan në Bullgari dhe me Kombëtaren, i dyti ka qenë i pafat. Një dëmtim në momentin më të keq do të ndikonte shumë në karrierën e tij. Ari Djepaxhia prej atij momenti asnjëherë nuk do arrinte të luante në nivele të larta, sepse fati i keq do ta ndiqte sërish me dëmtime të shumta.
Sivjet është rikthyer të luajë për Veleçikun. Të shtunën që shkoi Veleçiku humbi në kampionat me Adën, ndërsa në mesjavë është mundur thellësisht 1-6 nga Flamurtari në Kupën e Shqipërisë. Duke folur pikërisht për këtë humbjen e fundit, Djepaxhija për shtypin sportiv shqiptar do ta argumentonte në këtë mënyrë atë: “Në fakt ndeshjen e filluam mirë. Luajtëm si të barabartë me kundërshtarin, ndonëse edhe Flamurtari po luante me ekipin e dytë. Ndërkohë që pas pësimit të golit të parë morali jonë ra.”
“Në pjesën e dytë, edhe me ndryshimet që bëri trajneri, vlonjatët dominuan tërësisht dhe na mundën me rezultat të thellë”, – shtoi ai. Megjithatë tashmë ajo ndeshje është lënë pas dhe koplikasit po përgatiten për sfidën e rradhës. Atë që do të luajnë ditën e shtunë në fushë të huaj me Mamurrasin. Kuptohet që është një sfidë shumë e vështirë, pasi kundërshtari është një nga ekipet më të mira. Por për Djepaxhinë ekipi tij do të kërkojë fitoren.
“Objektivi jonë për çdo ndeshje është fitorja, pavarësisht se këtë herë do të luajmë ndaj Mamurrasit dhe në fushën e tij. Për ne nuk ka asnjë problem. Kemi një grup të mirë futbollistësh dhe mund të fitojmë ndaj çdo lloj kundërshtari”, – ka përfunduar mesfushori shkodran.