Nga Ilir Mborja 05.01.2016 15:20
Kush e njeh nga afër Vehap Xhindollin, e ka të qartë se ka të bëjë me një legjendë të gjallë të sportit shqiptar. Punë prej titani dhe vullnet i jashtëzakonshëm ka qenë që herët dhe vazhdon të jetë e gjithë jeta e tij. Punë, mund dhe djersë për të thyer rekorde e për të fituar medaljet e kampionit në sportin e rëndë të peshëngritjes që atëherë kur filloi për së pari ky sport në Shqipëri… Si themeluesin e Cirkut do ta mbajnë mend bashkëkohësit e tij elbasanas në fillim të viteve 1970-të. Ç’ishin më të rëndat dhe më të vështirat, të gjitha mbi krahët e tij të fuqishëm… Thuhet se për të qenë i suksesshëm në sport apo art, tri gjëra janë të domosdoshme: TALENT, PUNË dhe FAT. Nga këto njeriu ka në dorë vetëm njërën, punën. Të tjerat i ka në dorë tjetërkush. Natyra ose Zoti. Por Vehap Xhindolil, me shembullin e tij, e zhvlerësoi këtë aksiomë.
Ai megjithëse edhe fatin e pati kundër për gjatë gjithë jetës, përsëri triumfoi. Punën dhe vetëm punën nuk e resht ende edhe sot për asnjë çast ai. Njohësi i disa gjuhëve të huaja bën punën e “hamallit” për të sjellë në shqip kulturën botërore, urtësinë e qytetërimeve franceze, angleze, greke, suedeze apo gjermane. “Mjeshtëri i Merituar i Sportit”, “Qytetari i Nderit” të Elbasanit, megjithëse i kaloi të shtatëdhjetë e pestat, edhe në fushën e letrave përsëri zgjedh të kapë pjesën më të rëndë të shtangës më të lodhshmen, atë të përkthimeve. Ja pse ky njeri, shumë mirë mund të quhej ndryshe edhe Vehap puna apo, Vehap vullneti. Mirënjohja e shoqërisë duhet t’i drejtohet Vehap Xhindollit edhe për sportistët që nxorri, si dhe për modelin që ai u jep sot më të rinjve. Për edukatën e punës që ushqeu tek ata.
Për ndershmërinë sportive, aq të munguar sot. Para pak ditësh, bashkë me trajnerin Ilir Çela dhe dy djemtë e tij peshëngritës, kampionin kombëtar Alban Hoxha dhe pesëmbëdhjetëvjeçarin e talentuar Denald Gjata, isha edhe unë në një takim ndërkombëtar në Sarajevë. Financat e nevojshme për këtë turne na i dha bujarisht, nga xhepi i tij, një Ilir tjetër, Ilir Topuzi. Presidenti i Klubit të Peshëngritësve të Elbasanit dhe zëvendës i asaj Kombëtare. Sigurisht ai nuk i kishte të tepërta paratë, por pasionin dhe zemrën për sportin e peshëngritjes i ka pa fund. Ç’të thuash?.. Ish nxënës i Vehap Xhindollit edhe ky… Ishte hera e parë që ndiqja nga afër një garë peshëngritjeje. Në timon, gjatë gjithë atij udhëtimi të gjatë, vetëm i palodhuri Ilir Çela. Çdo bisedë ai e orientonte tek gara që na priste në Sarajevë.
U ngrinte moralin djemve duke i bërë të besonin tek djersa e derdhur në stërvitje. Himn punës i thurte në ato që thoshte, nxënësi i Vehapit, djemve të tij. Ashtu në timon, trajneri Çela, në stilin “meqë ra fjala”, nuk harronte të jepte edhe ndonjë këshillë teknike: “Kujdes me startin çuna!.. Alban! Ty nuk të falet asnjë sekondë më tepër, je kampion kombëtar!.. Pastaj, ashtu humbet edhe inercinë…”. Dhe pastaj po vetë i vinte kapak këshillave: “Hajt, hajt, se mirë do të dalim nesër! Kemi punuar për këtë ditë…” I ndoqa sportistët edhe në sallën e nxehmjes. Aty pashë një trajner, psikolog të vërtetë. Albanit i kërkohej “të thyente tavanin e Sarajevës!” dhe medalja duhej të vinte “gjallë a vdekur” në Elbasan. Edhe Denaldin 15 vjeçar, që e kishte të parën garë ndërkombëtare, udhëzimet e porositë e trajnerit e motivuan dhe e bënë që të shkëlqejë në këtë debutim.
Me shumë takt i shpjegoi se rezultati i tij ndikonte edhe tek i gjithë ekipi shqiptar, tek Albani dhe Kristi Ramadani. Pra, në garën e tij të parë ndërkombëtare, ai nuk duhet të harronte për asnjë çast edhe peshën e përgjegjësisë kolektive të ekipit. Gjatë garës, Ilir Çela, emociononte jo vetëm sportistët e tij, por edhe ne që e ndiqnim si spektatorë: “Kujdes! Saldoi mirë duart aty! Hape Gjoksin! Hapee gjoksin! Lart kokën! Tregoje veten! Start!.. (Shshsht!- të tjerëve.) Me të dyja këmbët… zjarr! Fort! Mbaje! Mos e ul!..” Nuk përshkruhen emocionet, kur shikoje djemtë tanë të suksesshëm në garë. Vetëm kur je aty i pranishëm mund t’i provosh ato ndjenja dhe nuk kupton se si fluturonin hekurat, ashtu në ajër, si të ishin prej druri… Dhe ca pyetje të lindnin vetvetiu pas garës: Me muskuj apo me zemër ngrihen shtangat?
Kush i ngriti ato shtanga, muskujt e djemve tanë, apo klithmat e shpirtit të Ilir Çelës? Në kthim, përgjatë Bregun Dalmat drejt Elbasanit, përsëri në timon, i pagjumi Ilir Çela. Ktheheshim me medaljen që e mbante Alban Hoxha në qafë. Gjatë rrugës, në Malin e Zi, p.sh, si një cicëron erudit, Ilir Çela me një pasion të veçantë na tregoi vendet e luftimeve për rezistencën e shqiptarëve të Plavës nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucisë: “Ja dhe vendi ku u ankorua flota e Carit të Rusisë në ndihmë të malazezëve”. Ndalemi në Manastirin e Shën Stefanit. Vend i bukur, por i njohur për Traktatin famëkeq në dëm të shqiptarëve. Ndërkohë që Albani me Denaldin u zhytën dhe notonin në Adriatikun e ftohë për të shkelur në ishullin e vogël shkëmbor ku ngrihej Manastiri, unë edhe Iliri u ulëm dhe pimë një kafe buzë detit.
Aty, ndërsa ndiqte me sy djemtë e tij, Ilir Çela më foli me një admirim të madh për ish trajnerin e tij Vehapin. Atij ia dedikonte të gjithë pasionin dhe dashurinë për sportin e peshëngritjes. Ç’dashuri për këtë sport të rëndë, që kërkon jo vetëm forcën e muskujve, por edhe kulturë, edhe forcën e një karakteri të ndershëm?!. Sidomos sot, në “botën e parasë”, ku është shumë e vështirë, pothuajse e pamundur, të dallosh mesazhin e vërtetë njerëzor. Në botën e sotme, ku në garën sportive ka hyrë prej kohësh dopingu hileqar, Vehap Xhindolli nuk është vetëm një legjendë dhe shembulli që duhet ndjekur. Ai është më shumë se aq. Vehapi është një institucion që duhet t’i falemi. Ai është vetë puna. Vetëm asaj i falen Ilir Çela me çunat e tij dhe vetëm për këtë janë shpresa e peshëngritjes sonë kombëtare.